Ekzekutoi dy policë në Kukës, burg përjetë për Afrim Hasanin
TIRANE-Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda mbyll përjetë në qeli Afrim Hasanin, njeriun që qëlloi për vdekje dy punonjës policie në Shëmri të Kukësit. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga shkalla e dytë e gjyqësorit, ku një trupë gjyqësore mori në shqyrtim kërkesën e të pandehurit Hasani, i cili kundërshtonte vendimin e dhënë ndaj tij nga shkalla e parë. Sipas pesëshes gjyqësore, Afrim Hasani ka qëlluar në shenjë hakmarrje ndaj dy punonjësve të policisë. Të gjitha veprimet e kryera nga Afrim Hasani, është vërtetuar se janë kryer kur ai ishte në gjendje të mirë mendore dhe jo i tronditur, siç ka pretenduar pala e mbrojtjes. Duke e gjetur të drejtë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ndaj Afrim Hasanit, Apeli ka vendosur ta lërë në fuqi. Babai i dy vajzave të vogla do ta kalojë pjesën tjetër të jetës përtej hekurave. Afrim Hasani akuzohet për vrasjen e dy punonjësve të policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha, në fshatin Shëmri të Kukësit. Babai i dy vajzave qëlloi mbi dy policët në shenjë hakmarrjeje, pasi ata e kishin kallëzuar penalisht në prokurori. Pas krimit, ai mundi të largohej dhe për tri ditë me radhë u fsheh në malet e Kukësit. Gjatë ditëve të qëndrimit në arrati, Afrim Hasani ka komunikuar me të afërmit e tij, të cilëve u ka treguar për krimin e rëndë dhe ka paralajmëruar se do të vriste veten, pasi u kishte lënë amanet dy vajzat e vogla. Në sallën e gjyqit, ai ka pretenduar se krimin e ka kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike, por ekspertiza vërtetoi krejt të kundërtën, që Afrim Hasani ka qenë i shëndoshë mendërisht kur ka qëlluar mbi dy efektivët e policisë. (d.b/GSH/BalkanWeb)