E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet e reja te Barbit, spikere lajmesh dhe inxhiniere

NJU JORK-Për shumë vajza të reja mund të duket se kukulla Barbi e ka plotësuar ciklin e saj. Por tashmë Barbi ka një profesion të ri. Karriera 125 vjeçare e Barbi u paraqit në Panairin e Lodrave në Njujork. Profesioni më i ri i Barbi u zgjodh nga vajzat e vogla përmes një votimi në internet. Vajzat patën mundësi të zgjidhnin ndërmjet pesë karrierave: arkitekte, inxhiniere kompjuterash, ambjentaliste, spikere lajmesh e kirurge. Stephanie Cota, Zëvendës Presidente e parë e Barbie Marketing, shpalli profesionin fitues. "Mblodhëm mëse gjysmë milioni vota, madje edhe nga vende si Angola e Zimbabve. Ndaj mund të them që mbarë bota u përfshi në këtë proces. Pa u zgjatur më shumë kam kënaqësinë të them se profesioni më i ri i karrieres 125 vjeçare të Barbie është spikere lajmesh!" tha Cota. Por, kukulla Barbie, e mirënjohur për talentet e saj të shumëfishta nuk u mjaftua me një profesion. Profesioni i 126-të i Barbie u shpall gjithashtu në këtë panair. Profesioni i saj i 126 u përzgjodh gjithashtu nëpërmjet votimit në internet, por kësaj here me votat e të gjithëve, të rinj e të vjetër, meshkuj e femra. Profesioni fitues qe ai i inxhinieres së kompjuterave. Stephanie Cota u shpreh: "Fakti që njerëz të moshave, profesioneve e gjinive të ndryshme dhanë votën e tyre ishte vërtet mbresëlënës. Ndaj për Barbie dhe markën Barbie përfshirja në këtë proces e një numri të madh njerëzish ka një domethënie të madhe" tha ajo. Pas hedhjes në treg për herë të parë në vitin 1959 kukulla Barbie është shndërruar në një ndër personazhet më të njohur me karriera të shumëllojshme. Ajo ka qenë modele, kirurge, astronaute, atlete, madje edhe kandidate presidenciale. "Karriera fillestare e Barbie pas hedhjes në treg në vitin 1959 ishte ajo e modeles, karrierë e cila shënoi një fillim të mbarë për të. Më pas Barbie shkoi në Hënë katër vjet para Neil Armstrong, hyri në fushën e kirurgjisë në vitin 1973 në kohën kur kjo fushë dominohej ende nga meshkuj" u shpreh Cota. Barbie ka rezultuar e suksesshme në këto profesione me kalimin e viteve. "Ne iu japim mundësi vajzave të vogla në mbarë botën të kuptojnë që mund të bëhen gjithçka duan kur të rriten. Barbie ka shërbyer gjithnjë si udhërrëfyese për vajzat e vogla, duke iu dhënë mundësi të eksplorojnë botën e duke iu hapur shumë dyer deri atëherë të pamundura për tu hapur për to" tha Cota. Sipas krijuesit të Barbie, kompanisë së prodhimit të lodrave Mattel, kjo kukull u paraqit për herë të parë në një panair lodrash në Njujork në vitin 1959. Që nga ajo kohë është shndërruar në kukullën më të koleksionuar në botë, sipas Mattel, pasi rreth 90 përqind e vajzave nga 3 deri 10 vjeç kanë të paktën një kukull Barbie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›