E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutoi një grua, pranga pas 11 vitesh

Autori i ekzekutimit të një gruaje në vitin 1997 është arrestuar dje nga policia e Gjirokastrës. 

GJIROKASTER / PIRO NASE

Dëshmia e burrit të viktimës dhe bashkëpunëtorit në krim çuan në identifikimin dhe arrestimin pas plot 11 vjetësh të Bilal Mehmetit. Sipas policisë, 31-vjeçari nga Delvina u arrestua mesnatën e së hënës gjatë një aksioni blic të realizuar nga specialistët e sektorit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Mehmeti dyshohet të jetë autori kryesor i një prej krimeve që ende nuk ishin zbuluar plotësisht. Nga hetimet ka rezultuar se, Mehmeti së bashku me bashkëmoshatarin dhe shokun e tij Ilirian Alinanaj po nga Delvina, i kanë zënë pritë e më pas kanë ekzekutuar 35-vjeçaren Eleni Koka. Ajo u qëllua me pistoletë në kokë në momentin e rezistencës që ushtroi gjatë tentativës për të rrëmbyer automjetin e të shoqit në aksin rrugor që ndan rrethin e Gjirokastrës me atë të Sarandës, 2 km mbi fshatin Jorgucat. Sipas policisë, ngjarja ka qenë me autor të pazbuluar dhe është dashur ndërmarrja e operacionit të koduar "Drejtësi e vonuar" për të kapur protagonistin kryesor të saj. Ka qenë ora 11:30 e 29 marsit të vitit 1997, kur Bilal Mehmeti dhe Ilirian Alinanaj, të pozicionuar në kthesën e Muzinës i kanë dalë përpara të armatosur shtetasit Stefan Koka nga Delvina, i cili udhëtonte së bashku me të shoqen e vet dhe tri të afërm që i kishte sjellë nga Greqia në drejtim të Delvinës. Pasi i kanë bërë shenjë automjetit tip "Benz-Mercedes" me targa të Delvinës 0893 A, dy grabitësit kanë kërkuar nga drejtuesi i makinës nën kërcënimin e armëve çelësat. Në këtë moment e shoqja e drejtuesit të makinës Eleni Koka, i ka rrëmbyer çelësat të shoqit dhe nuk ka lejuar që keqbërësit të rrëmbenin automjetin. Të befasuar nga reagimi i 35-vjeçares, Mehmeti ka qëlluar me pistoletë në drejtim të gruas duke e lënë atë në vend të vdekur. Prej asaj dite, Bilal Mehmeti, i është shmangur policisë shqiptare duke marrë me vete edhe misterin e ngjarjes së rëndë. Ndërsa bashkautori i këtij krimi, Ilirian Alinanaj, prej katër vitesh vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës për veprën penale të vrasjes me dashje dhe vjedhjes me armë, për të cilat u dënua 11 vjet. Në bazë të dëshmisë së burrit të viktimës dhe të arrestuarit të parë, autori i ekzekutimit ishte një person tjetër, pikërisht Bilal Mehmeti. Provat e gjetura çuan në identifikimin e plotë të tij. Mbi 31-vjeçarin rëndojnë dy vepra penale ajo e vrasjes me dashje dhe e vjedhjes me armë. Burime të besueshme nga policia e Gjirokastrës kanë konfirmuar për gazetën "Panorama" se, operacioni për kapjen e autorit të ngjarjes së 11 viteve më parë, është shtrirë në të gjithë jugun e vendit dhe në të janë inkuadruar një pjesë e mirë e uniformave blu të Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›