E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshillim karriere edhe për studentët

Këshillim karriere jo vetëm për maturantët, por edhe studentët. Këtë përcakton udhëzimi më i ri i MASH-it, i cili ka mbërritur tashmë në universitete. 

 Në bazë të tij u kërkohet drejtuesve të përfshijnë në një rregullore të posaçme kujdestarinë (tutoratin) për studentët, për çdo program studimi (degë), nën përgjegjësinë e këshillave të fakulteteve. "Ky shërbim i ri i universiteteve synon mbështetjen e studentëve për parandalimin e largimeve, apo zgjatjes së kohës së studimeve përtej kohëzgjatjes normale të tyre", bën me dije MASH. Sipas këtij dikasteri, udhëzimi gjithashtu ka për qëllim orientimin duke asistuar studentët gjatë gjithë programit të tyre të studimit. Kjo do të realizohet, duke i nxitur ata për një pjesëmarrje aktive në jetën universitare në të gjitha fushat dhe format e saj. Sakaq sipas nismës për këshillimin e karrierës, çdo universitet ka ndërmarrë nisma për t'ju bërë të njohur maturantëve programet e studimit që ofron, strukturat përbërëse të tij, shërbimet për studentët dhe  mundësitë për punësim. Kjo për të ndihmuar në këtë mënyrë nxënësit në zgjedhjen e ndërgjegjshme dhe të motivuar të programeve të studimit, që do të kryhet në qershor me plotësimin e formularit A2. Në po të njëjtin udhëzim të MASH-it parashikohen edhe kreditet, që duhet të plotësojnë studentët për të marrë një diplomë sipas Kartës së Bolonjës. "Për organizimin e studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit", thuhet në udhëzim. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti akademik nga një student me kohë të plotë është 60 kredite, apo 1 500 orë mësimore punë të tij, që përfshijnë orë në auditor dhe orë për punë të pavarur të tij. "Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1 500 orëve mësimore", citohet në udhëzim, ku përcaktohet se ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratorë është në intervalin e 20-25 orëve mësimore 60-minutëshe.  Me udhëzimin e ri hiqet numri i viteve fikse të përcaktuara për përfundimin e cikleve të studimit. "Për çdo program studimi me kohë të plotë është përcaktuar si normë një kohëzgjatje në vite, proporcionale me numrin total të krediteve, duke pasur parasysh që një viti i korrespondojnë 60 kredite", vijohet në udhëzim.

  Orientimi i studentëve

a)     kujdestari (tutorat) për studentët;
b)     këshillim për nxënësit për përzgjedhjen e programeve të studimit;
c)     përpunim dhe shpërndarje të informacionit për programet e studimit, mbi funksionimin e shërbimeve për studentët;
d)     orientim për përfshirjen në tregun e punës etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›