E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesja USA, edhe 3 padi

"Punësim në ambasadën amerikane në Tiranë". Mashtrimi i 52-vjeçares kryeqytetase Hanë-me Shandori ka marrë përmasa. 

Fatos Mahmutaj

Tre qytetarë të tjerë, pasi janë njohur nga mediat me faktin e  arrestimit të saj, janë paraqitur në polici, ku kanë deponuar se i kishin paguar Shandorit nga 400 mijë lekë të vjetra secili për të nisur procedurat e punësimit në ambasadën amerikane. Denoncimet janë marrë nga efektivët e antikrimit ekonomik, të cilët ia kanë bashkëngjitur dosjes së hetimeve paraprake që ka përgatitur Prokuroria e kryeqytetit në ngarkim të 52-vjeçares së akuzuar për "mashtrim në shuma të mëdha, më shumë se një herë". Po dje, e arrestuara e pak ditëve më parë ka nënshkruar në prokurori deklarata, ku ka pranuar se u ka marrë para katër prej denoncuesve të saj dhe se do ua kthejë ato para. Madje, këtë veprim ajo e ka bërë në prani të bashkëshortit, i cili do u ktheje paratë denoncuesve, në mënyrë që ky veprim të shihet si rrethanë lehtësuese nga ana e gjykatëses së gatshme, që do vlerësojë kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë.
Hetimi
Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se Shandori ka pranuar faktin se ka marrë para nga disa prej "viktimave", por sipas saj në asnjë mënyrë për t'i punësuar në ambasadën amerikane. Duke pretenduar se kishte njohje të shumta, ajo ka deklaruar se arrinte t'iu gjente punë qytetarëve të ndryshëm, dhe si shpërblim të kësaj pranonte ndonjë dhuratë, por nuk u kërkonte kurrë atyre parapagesa për këtë shërbim. Ndërsa në lidhje me denoncimet, ajo ka mohuar që të ketë marrë para nga disa persona që e kanë denoncuar. Sipas saj, disa prej pretendimeve të denoncuesve nuk janë të vërteta. Dosja e përgatitur gjatë hetimeve paraprake në ngarkim të Shandorit u dorëzua dje në gjykatë me kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë "burg pa afat" ndaj saj. Organi i akuzës kërkon që ajo të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve, kohë gjatë së cilës do të mblidhen provat e duhura për të vërtetuar akuzën në ngarkim të saj. Sipas Prokurorisë, një arsye për të vendosur këtë masë është edhe rreziku se e pandehura mund t'i fshihet hetimit, mund të dëmtojë provat apo mund të manipulojë dëshmitarët. Seanca për masën e sigurisë në ngarkim të saj do të zhvillohet paraditen e sotme.
Dosja
Hanëme Shandori, 52 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, u arrestua në flagrancë katër ditë më parë, pasi 19 kryeqytetas e denoncuan atë t'iu kishte marrë nëpërmjet mashtrimit shuma të konsiderueshme parash, që në mjaft raste shkonin deri në 160 mijë lekë të reja, duke iu premtuar punësim në ambasadën amerikane. Duke u prezantuar si punonjëse pranë kësaj ambasade, veç mashtrimit për punësim, bazuar në kallëzimet e marra nga të dëmtuarit, ajo përfitonte duke premtuar edhe nxjerrjen e vizave në këtë ambasadë. Po kështu, Shandori, fillimisht u kërkonte si garanci viktimave të saj, shumën e parave prej 160 mijë lekë të reja për person, duke u premtuar lehtësimin e procedurave për marrjen e kredive bankare pranë Bankës Amerikane. Ndërkohë, pas prangosjes, gjatë një kontrolli të imtë të ushtruar në ambientet e banesës së saj, u gjetën dhe u sekuestruan nga policia dokumente që 23 qytetarë e kishin paraqitur tek ajo me synim punësimin apo nxjerrjen e vizave për në SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›