E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur rritet papunësia

Ekonomia botërore po përballet me rritjen më të shpejtë të papunësisë në dekada. Faktin se si do të reagojnë qeveritë, do ta tregojnë tregjet e punës në vitet në vijim

Muajin e kaluar, norma e papunësisë së Amerikës u rrit në 8.1%, më e larta në një çerek shekulli, - shkruan “The Economist”. Për ata që sapo kanë ikur nga një punë, shanset për të gjetur një punë tjetër janë më të këqijat që kur filloi regjistrimi para 50 vitesh. Në Kinë, 20 milionë punëtorë migrantë (ndoshta 3% e forcës së punës) janë hequr nga puna. Industria e tekstileve e Kamboxhias, burimi kryesor i eksporteve të vendit, e ka reduktuar numrin e punonjësve me një të dhjetën. Në Spanjë, shfryrja e ndërtimit e ka rritur normën e papunësisë me dy të tretat, në 14.8% në janar. Dhe në Japoni, dhjetëra mijëra njerëz me kontrata të përkohshme po humbin jo vetëm vendet e tyre të punës, por dhe shtëpitë që u jepeshin nga punëdhënësit e tyre.
Faza tjetër e rënies ekonomike globale po merr formë: një krizë globale e vendeve të punës. Konturet e saj po bëhen të qarta, por ashpërsia, përmasat dhe kohëzgjatja e mundshme e rënies ekonomike, së bashku me ndryshimet në strukturën e tregjeve të punës si në ekonomitë e pasura, ashtu dhe në ato në zhvillim, sugjeron se Bota po shkon drejt rritjes së papunësisë më të madhe ndër dekada.
Në tre muajt e fundit të 2008-s, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Amerikës ra me një normë vjetore prej 6.2%. Ky tremujor nuk duket të jetë shumë më i mirë. Prodhimi ka rënë edhe më shpejt në vendet e varura nga eksporti (si Gjermania, Japonia dhe disa vende në zhvillim të Azisë) siç ka rënë dhe financimi i huaj (veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore). FMN ka pohuar kohët e fundit se prodhimi global ka të ngjarë të bjerë për të parën herë që nga Lufta e Dytë Botërore. Banka Botërore pret tkurrjen më të shpejtë të tregtisë që nga koha e depresionit.
Një kolaps ekonomik i këtyre përmasave ka të ngjarë të godasë rëndë vendet e punës. Në një vëzhgim të fundit, Manpower, një firmë shërbimesh punësimi, thotë se, në 23 nga 33 shtete që ajo mbulon, synimet e punësimit të kompanive janë ndër më të ulëta që janë konstatuar ndonjëherë. Duke qenë se ndryshimet në papunësi reflektohen më vonë te ndryshimet në prodhim, norma e papunësisë mund të rritet më tej nëse ekonomitë do të ndalojnë sot tkurrjen. Por ka pak shpresë për këtë. Dhe disa elemente të kësaj rënieje ekonomike duken veçanërisht shumë të dëmshme.

Do të ndryshojë struktura e vendeve të punës

Kriza e kredive e ka rënduar efektin e rënies së kërkesës, duke i detyruar firmat që kanë probleme likuiditeti të reduktojnë kostot më me shpejtësi. Shfryrja e aktiveve dhe problemet me borxhet, që shtrihen pas rënies ekonomike, nënkuptojnë që ringritja e mundshme do të jetë e dobët dhe nuk do të jetë në gjendje të krijojë vende pune me shpejtësi. Dhe kur kërkesa të rigjallërohet, përbërja e vendeve të punës do të ndryshojë. Në një botë të pas flluskave, konsumatorët me më shumë borxhe në Botë do të kursejnë më shumë dhe ekonomitë me tepricë, si Kina dhe Gjermania, do të duhet të mbështeten më shumë në shpenzimet e brendshme konsumatore. Industritë në lulëzim të viteve të fundit, nga ndërtimi te financa, nuk do të lulëzojnë përsëri brenda një kohe të shkurtër. Miliona njerëz, nga bankierët e Wall Street-it te migrantët e Kinës, do të duhet të gjejnë linja tërësisht të ndryshme punësimi.

Humbja shqetësuese e vendeve të punës në Amerikë
Për momentin, dëmi është më i dukshëm në Amerikë, ku rënia ekonomike filloi më shpejt se kudo (në dhjetor 2007, sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike) dhe ku lehtësia e marrjes dhe pushimit nga puna nënkupton se ndryshimet në kërkesat për punonjës shfaqen me shpejtësi në listat e pagesave. Ekonomia filloi të humbë vende pune në janar të vitit 2008. Dhe rënia e parë ishte përgjithësisht modeste dhe e lidhur gjerësisht me ndërtimin (në sajë të shfryrjes së flluskës së shtëpive) dhe prodhimit (ku punësimi ka qenë prej një kohe të gjatë në rënie). Por, që nga shtatori u përshpejtua dhe u zgjerua. Nga 4.4 milionë vende pune që kanë humbur që kur filloi rënia ekonomike, 3.3 milionë janë shkurtuar në gjashtë muajt e fundit. Virtualisht, çdo sektor është goditur rëndë. Vetëm punonjës në edukim, qeveri dhe kujdes shëndetësor u janë shtuar listës së punonjësve muajt e fundit.
Deri tani, madhësia e humbjes së vendeve të punës në këtë rënie ekonomike ngjan me ato të viteve të rënieve që pasuan menjëherë pas luftës botërore (duke filluar në vitet 1948, 1953 dhe 1957). Këto rënie sollën lëkundje të mëdha por të përkohshme në punësim, në një ekonomi që mbështetej shumë më tepër në prodhim sesa sot. Si përqindje e forcës së punës, numri i punonjësve që kanë humbur vendet e punës ndaj totalit është shumë më i lartë në këtë rënie ekonomike sesa në çdo rënie tjetër, që nga viti 1957. Ritmi me të cilin njerëzit po humbin vendet e tyre të punës, i matur nga përqindja e njerëzve që shkojnë për regjistrime papunësie çdo javë, është shumë më i shpejtë se në rëniet e 1990-s dhe 2001-shit.
Shqetësimi, gjithsesi, është se si rrjedhojë e borxhit të tepërt nga shfryrja e flluskës së shtëpive mund të ketë një ringjallje të ngadaltë. Shenja të dukshme janë një rritje e shpejtë e humbjes së vendeve të punës së përhershme dhe një rritje e numrit të njerëzve që dalin nga puna pas gjashtë muajsh, ose 1.9% e forcës së punës, nivel i lartë ky që është i krahasueshëm me atë të pas-luftës.
Parashikimet zyrtare nuk po arrijnë të ndjekin ritmet. Në buxhetin e tij, në shkurt, administrata e Obamës priste një normë papunësie prej 8.1% për vitin. Kjo shifër u arrit brenda muajit. Shumë analistë të Many Wall mendojnë se kjo normë do t’i kalojë 10% deri në 2010-n dhe mund të kalojë dhe kulmin e pasluftës së 1945-s prej 10.8%. Krizat pas bankare tregojnë për një parashikim edhe më të zymtë. Një studim nga Carmen Reinhart i Universitetit të Maryland dhe Ken Rogoff i Universitetit të Harvard-it sugjerojnë se norma e papunësisë u rrit me një mesatare prej shtatë pikë përqindjeje pas periudhave të tjera të rënieve bankare të pasluftës. Kjo implikon një normë papunësie për Amerikën prej rreth 12%.
Nga ana tjetër, shumë kompani po ulin orët e punës për të reduktuar kostot. Mesatarja e orëve që punohet në javë prej 33.3 është më e ulëta, të paktën që nga viti 1964. Vonesat e pagesave po bëhen më të zakonshme dhe jo vetëm në firmat ciklike prodhuese ku është një praktikë e vendosur. Në një vëzhgim të fundit të Watson Wyatt, një firmë konsulente, thuhet se pothuajse një punëdhënës në dhjetë synon të shkurtojë orët javore të punës në muajt në vijim.

Tregu i punës në Europë

Tregu i punës në Europë duket më pak i ndikuar, të paktën për momentin. Kjo po ndodh pjesërisht sepse rënia ekonomike filloi më vonë atje, pjesërisht sepse papunësia ka qenë në mënyrë të pazakontë e ulët sipas standardeve europiane dhe pjesërisht sepse tregjet më pak fleksible të punës në Europë reagojnë më ngadalë se ato të Amerikës. Norma e papunësisë së zonës euro për momentin ishte 8.2% në janar, në rritje nga 7.2% më parë. Ndërsa norma e të gjithë Bashkimit Europian ishte 7.6%, në rritje nga 6.8%.
Brenda BE-së variacionet janë të mëdha. Irlanda dhe Spanja, ku ndërtimi lulëzoi dhe më pas ra në mënyrë dramatike, kanë parë tashmë humbje të mëdha të vendeve të punës. Pothuajse 30% e rritjes së vendeve të punës në Irlandë në gjysmën e parë të kësaj dekade erdhi nga tregtia e ndërtimit. Në Britani, një tjetër ekonomi që vjen nga shfryrja e flluskës së ndërtimit, norma po rritet gjithashtu ndjeshëm. Në fund të vitit të kaluar, 6.3% e punonjësve ishin pa punë, në rritje nga 5.2% një vit më parë. Të dhënat, ka të ngjarë, të tregojnë një nivel papunësie mbi 2 milionë njerëz për herë të parë që prej më shumë se një dekade.
Në ekonomitë më të mëdha të Europës kontinentale, pasojat e humbjes së vendeve të punës, si rrjedhojë e tkurrjes së prodhimit sapo po bëhen të dukshme. Megjithëse prodhimi në Gjermani ka rënë me një normë vjetore prej 7% në tremujorin e fundit të 2008-ës, papunësia nuk ka ndjekur të njëjtat ritme. Norma është ende më e ulët sesa ishte një vit më parë. Edhe kështu, asnjë nuk dyshon se në cilin drejtim po shkon papunësia. Në janar, Komisioni Europian parashikoi që norma e papunësisë në Europë të rritej në 9.5% në 2010-n. Ashtu si në Amerikë, shumë ekonomistë të sektorit privat presin 10% ose më shumë papunësi.
Ndryshimet strukturore në tregjet e punësimit në Europë sugjerojnë se vendet e punës do të humbasin më me shpejtësi se në rëniet e mëparshme. Kontratat e përkohshme kanë qenë një praktikë e ndjekur në shumë vende, si një mënyrë për të reduktuar shpenzimet dhe për shkak të vështirësive të marrjes në punë të punonjësve të përhershëm. Një pjesë e madhe e reduktimit në papunësinë europiane erdhi si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të këtyre kontratave. Tani progresi po shkon në të kundërt. Në Spanjë, rasti më ekstrem i këtyre praktikave, të gjitha humbjet e vendeve të punës në vitet e kaluara ishin të përkohshme. Në Francë punësimi me kontrata të përkohshme ka rënë me një të pestën. Vendet e përhershme të punës deri tani nuk para janë prekur.
Megjithëse përhapja e kontratave të përkohshme ka çuar në një fleksibilitet më të madh, ajo ka zgjeruar kufirin e rregullimeve disproporcionale te personat me aftësi të ulëta, të rinjtë dhe imigrantët. Rritja e peshës së imigrantëve në fuqinë punëtore të Europës gjithashtu e bën vlerësimin e papunësisë më të vështirë. Siç thotë Samuel Bentolila, një ekonomist në CEMFI, një shkollë spanjolle, rritja e normës së papunësisë në Spanjë nuk ka ardhur vetëm si shkak i më pak vendeve të punës. Në sajë të imigracionit të vazhdueshëm, ritmi i forcave të punës ende po rritet. Në Britani, në kontrast, qindra mijëra migrantë polakë pranohet që kanë shkuar në shtëpi.

Ekonomitë në zhvillim, situata problematike

Në vendet në zhvillim, shkalla e problemit është shumë më e vështirë të gjykohet. Ka të dhëna për rënie të punësimit, veçanërisht në ndërtim, miniera dhe prodhim të orientuar nga eksportet. Por të dhënat zyrtare për humbjet e vendeve të punës dhe normat e papunësisë janë më të zbehta. Vlerësimet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) sugjerojnë që numri i personave të papunë në vendet në zhvillim u rrit me 8 milionë në 2008-n në 158 milionë, një normë totale papunësie prej rreth 5.9%. Në një raport të fundit nga ILO projektohen disa skenarë të 2009-s. Skenari më i zymtë parashikon se mund të ketë dhe 32 milionë të tjerë të papunë në botën në zhvillim këtë vit.
Megjithatë, miliona do të kthehen nga punësimi formal në sektorin informal dhe nga qytetet në zonat rurale. Sipas Bankës Botërore, 53 milionë njerëz të tjerë do të shkojnë drejt varfërisë ekstreme në 2009-n.

Reagimet e qeverive

Historia ka treguar se papunësia e lartë nuk është vetëm një problem ekonomik, por ka dhe implikime të shumta politike. Tregjet e dobëta të punës rrisin mundësinë për të përqafuar ksenofobinë, veçanërisht në Europë, ku kemi të bëjmë me rënien e parë që kur imigracioni lulëzoi. Drejtuesit e Kinës janë të tmerruar nga perspektiva e trazirave sociale nga rritja e papunësisë, veçanërisht midis elitës urbane.
Duke pasur parasysh këto rreziqe, politikanët nuk do të rrijnë të bëjnë sehir teksa niveli i papunësisë rritet. Mbrojtja më e rëndësishme e tyre është të rrisin kërkesën. Të gjitha ekonomitë e pasura dhe vendet më të mëdha në zhvillim kanë njoftuar për paketa fiskale nxitëse.
Duke qenë se pjesa më e madhe e ekonomive në zhvillim nuk kanë skema të gjera sigurimi të papunësisë, mënyra kryesore për të ndihmuar të papunët është nëpërmjet projekteve të infrastrukturës që kërkojnë krah intensiv të fuqisë punëtore, po ashtu nëpërmjet transfertave të kushtëzuara të ‘cash’-it për të varfërit.
Paketa nxitëse e Kinës përfshin shumë para për infrastrukturën; India po përshpejton projekte me vlerë 0.7% të PBB-së. Gjithsesi, disa vende në zhvillim kanë skema krijuese të sigurimit të të papunëve. Në Kili dhe Kolumbi punonjësit e sektorit formal paguajnë për llogari individuale papunësie, në të cilat ata mund të bëjnë tërheqje në rast se humbin vendet e tyre të punës. Shumë vende të tjera kanë krijuar sisteme pensioni të bazuara në llogaritë individuale. Robert Holzmann i Bankës Botërore mendon se njerëzit duhet të lejohen të marrin hua nga llogari të tilla, kur ata të jenë të papunë. Disa vende po e marrin në konsideratë idenë.
Në vendet e zhvilluara, përgjigjet e qeverive në të kaluarën për papunësinë e lartë kanë pasur efekte të zgjatura dhe ndonjëherë të dëmshme. Kur papunësia u rrit pas goditjes së naftës në 1970-n, qeveritë e Europës, nën presionin e unioneve tregtare të fuqishme, mbajtën rregulla të rrepta të tregjeve të punës dhe u përpoqën të shkurtonin radhët e të punësuarve duke nxitur pensionin e parakohshëm. Së bashku me përfitime të mëdha sociale, kjo çoi në dekada të papunësisë së madhe “strukturore” dhe një rritje të madhe të peshës së njerëzve të papunë. Në Amerikë, ku siguria sociale ishte më e ulët, kishte më pak rregulla të rrepta pune dhe njerëzit kishin më shumë dëshirë të lëviznin, punonjësit iu përgjigjën në mënyrë më fleksible ndryshimeve strukturore. Pas më pak se 6 vitesh, kur norma e papunësisë arriti në vitin 1982 në 10.8%, niveli rekord i pasluftës, norma e papunësisë së Amerikës ishte afër 5%.
Politikat në Amerikë ende orientohen rreth mbajtjes së ulët të përfitimeve dhe tregjeve fleksible, më shumë sesa të lehtësojnë direkt dhimbjen e papunësisë. Përfitimet për papunësinë janë më të ulëta se në vitin 1970. Sigurimi i papunësisë financohet në mënyrë të përbashkët nga shteti dhe qeveria federale. Shteti vendos kriteret e vlefshmërisë dhe në shumë raste nuk u është përmbajtur ndryshimeve që kanë ndodhur në përbërjen e forcës së punës. Në 32 shtete, për shembull, punonjësit me kohë të pjesshme nuk marrin përfitime. Në total, më pak se gjysma e të papunëve amerikanë marrin asistencë. Përfitimet që ata marrin gjithashtu variojnë nga një shtet në tjetrin, por në tërësi janë ndër më të ulëtat në vendet e OECD-së, kur krahasohen me pagën mesatare.
Megjithatë paketa e fundit nxitëse e Amerikës e rriti përkrahjen sociale. Përfitimet për papunësinë janë rritur në mënyrë modeste, kohëzgjatja e tyre maksimale është rritur dhe shteteve u është dhënë një nxitës i madh financiar për të zgjeruar skemën. Paketa gjithashtu përfshin subvencione të përkohshme për të ndihmuar pagesën e sigurimeve shoqërore për punonjësit që dalin nga puna. Por, megjithë këto masa, përfitimet mbeten të pakëta.
Shtëpitë janë një ndikues i madh në lëvizshmërinë e punëve në Amerikë. Pothuajse një e pesta e amerikanëve që kanë kredi për shtëpi kanë detyrime më të larta se vlera e shtëpisë së tyre, dhe çmimet e shtëpive pritet që të bien më tej. “Kapitali negativ” mund t’i bëjë të ngurtë pronarët e shtëpive, duke e bërë të vështirë lëvizjen për një punë të re. Një studim i fundit tregon se pronarët e shtëpive me kapital negativ janë 50% më pak të lëvizshëm se të tjerët.
Qeveritë e Europës, të paktën deri tani, po përpiqen shumë që të shmangin gabimet e viteve 1970 dhe 1980. Ashtu siç thekson Stefano Scarpetta i OECD-së, politikat e sotshme synojnë që të mbajnë njerëzit në punë, sesa t’i nxisin ata të lënë forcën e punës. Disa shtete, nga Spanja te Suedia, i kanë ulur përkohësisht kontributet e sigurimeve shoqërore me synimin uljen e kostos së punës.
Një grup më i gjerë, përfshirë Austrinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Hungarinë, Italinë dhe Spanjën, po i nxisin firmat të reduktojnë orët e punës, sesa të shkurtojnë njerëzit nga puna, duke i paguar punonjësit për më pak orë. Gjermania, për shembull, ka pasur prej një kohe të gjatë një skemë që mbulon 60% të diferencës midis orëve të shkurtuara dhe pagës së plotë për një periudhë deri në 6 muaj. Qeveria kohët e fundit e thjeshtoi dokumentacionin e kërkuar, uli kontributet e sigurimeve sociale për njerëzit e prekur dhe e zgjati kohën maksimale të skemës në 18 muaj.
Britania ka marrë një pozicionim të ndryshëm. Më shumë sesa të ndërhyjë në mbajtjen e njerëzve në punët e tyre ekzistuese, është përqendruar në zgjidhjen afatgjatë të problemeve të punësimit me një paketë subvencionesh për të nxitur punëmarrësit të punësojnë dhe trajnojnë njerëz që kanë qenë papunë për më shumë se 6 muaj.
Nga të gjitha qeveritë e pasura, Japonia ka qenë më aktivja. E detyruar të përballet me realitetin e zymtë të tregut të punës, po provon një sërë politikash. Muajin e fundit propozoi nxitës fiskalë për kompanitë që kthenin punëtorët e përkohshëm në të rregullt.
Kohët e fundit, qeveria po konsideron uljen e periudhës minimale të punës që është e vlefshme për përfitime papunësie. Po u jep punonjësve që kanë mbetur pa punë për një periudhë 6-mujore huanë për shtëpi dhe pagesë për shpenzimet e jetesës. Po paguan pronarët e bizneseve të vogla që t’i lejojnë personelit të shkurtuar nga puna të mbetet në ambientet fjetëse të kompanisë. Po subvencionon pagat e punonjësve që janë të detyruar të ikin. Po i paguan firmat për të rimarrë në punë personelin e pushuar dhe u ofrojnë grante kujdo që ka dëshirë të nisë një biznes të ri.
Nëse këto politika do të jenë të mjaftueshme, kjo do të varet nga fati se sa do të zgjasë rënia. Në pjesën më të madhe ato janë politika mbushëse, të zbatuara me shpresën se rënia ekonomike do të marrë fund dhe ristrukturimi industrial që do ta ndjekë do të jetë modest. Subvencioni i javëve të shkurtra të punës, për shembull, nxit kërkesën sot, por pengon rirregullimin afatgjatë. Politikanët duket se po shpresojnë për më të mirën. Duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën ekonomitë e tyre po përkeqësohen, ato do të bëjnë mirë të planifikojnë për më të keqen.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›