Tryeza e katërt për Kalderonin
Këto ditë po zhvillohet në kryeqytetin zhurmëmadh shqiptar, në zemër të tij, Forumi i katërt radhazi i Krans Montanës, me president lobistin dhe mjeshtrin e piar-it (PR) zotin Kalderon. Zelli i pronarit është për t’u vlerësuar, pasi për të katërtin vit radhazi e ka sjellë Krans Montanën në Tiranë; e sjell në vendin tonë pikërisht në momentin kur të gjithë s’e kanë mendjen te round table-t, por te hallet e përditshme apo te problemet e fushatës elektorale.
Njëherë e një kohë, kur u lançua nisma e Paktit të Stabilitetit, e cila kishte për synim stabilizimin dhe integrimin me njëri-tjetrin të vendeve të rajonit të Ballkanit, të sapodala nga luftërat dhe konfliktet ndëretnike, ideatorët e ndanë në tri drejtime këtë iniciativë, të njohura ndryshe si tri tryezat: Tryeza e Demokracisë dhe e të Drejtave të Njeriut; Tryeza e Zhvillimit Ekonomik dhe Infrastrukturës dhe Tryeza e Sigurisë. Pasi u shfry tullumbacja se Pakti ishte thesi me para që do t’i nxirrte nga e keqja e madhe ballkanasit e varfër, dhe të gjithë e kuptuan se ishte thjesht një instrument nxitës dhe integrues mes vetë familjes ballkanike, si me shaka, u sajua Tryeza e Katërt e Paktit të Stabilitetit, e cila u pagëzua me emrin “Cross Table”. Kjo ishte tryeza për vemjet dhe të babëziturit pas parave të donatorëve dhe misioni i stabilitetit të rajonit u kthye në mision zhvatës; për të fituar para; për të ngrënë dreka dhe darka; si dhe për të kaluar ditët me workshope, trajnime dhe konferenca nëpër vendet ekzotike të Ballkanit apo ato të Europës Perëndimore.
E bëmë këtë hyrje jo thjesht për koincidencën e numrit “katër”, pasi Krans Montana dhe Kalderon mund të bëjnë edhe shumë forume të tjera, pasi është e drejtë dhe interes i tyre për të organizuar takime, tryeza dhe lobime të këtij lloji, dhe jo vetëm në Tiranë. Ajo që mbetet për t’u diskutuar është se kush jep paratë e organizimit të konferencave të tilla. Edhe këtë vit, si tre vitet e kaluara, është konfirmuar fakti se qeveria “Berisha” e ka financuar këtë forum. Sponsor zyrtar deklarohet Ministria e Ekonomisë, ndonjë kompani private që operon në tregun shqiptar dhe disa emra organizatash dhe nismash mediatike, të cilat njihen fare pak ose aspak në tregun shqiptar. Pa dashur që t’i fyejmë ata, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për mënyrën se si i përdor qeveria paratë e tyre. Duke e vlerësuar si të justifikuar tryezën e parë për Kalderonin, të dytën, apo ndoshta edhe të tretën, kjo e katërta duket si e nxitura dhe pa shumë fryte. Se ishte e nxituar, kjo dukej që nga axhenda disi e papërcaktuar, panelet, pjesëmarrja, cilësia dhe propozimet që dolën nga këto panele. Gjëja më me interes ditën e djeshme, në panelin e radhës së Forumit të Krans Montanës, ishte leksioni i ish-presidentit të Mongolisë. Pas fjalimit të mikut special të Forumit, zotit Bagabandi, askush prej pjesëmarrësve dhe as prej të ftuarve nuk mori mundimin që të flasë, pa le më që të propozojë ndonjë mundësi bashkëpunimi me vendin aziatik, të njohur për pasuritë e bakrit, arit apo metaleve të tjera të çmuara. Megjithatë, ish-presidenti Bagabandi është personalitet i nderuar, i cili, me këtë rast viziton edhe Shqipërinë me paratë e piaristëve.
Një frymë e tillë dukej tek një pjesë e madhe e të ftuarve, të njohur apo aspak të njohur, që vijnë nga qendra apo periferi të ndryshme të botës, të cilët, për një mijë e një arsye, kanë dëshirë që të bëhen pjesë e Tryezës së Katërt që Tirana zyrtare i shtron Kalderonit. Pa marrë përsipër për të hedhur poshtë rezultatet e tri tryezave të mëparshme, të gjithë jemi në pritje për të mësuar se çfarë do t’i sugjerojë Krans Montana qeverisë “Berisha” për zhvillimin ekonomik, thithjen e investitorëve të huaj, reformat në legjislacionin shqiptar, zgjidhjen e krizës ekonomikë dhe financiare globale etj. Të gjithë jemi në pritje pasi fatura e qytetarëve shqiptarë për mikun e Berishës është rritur ndjeshëm dhe askush nuk e di nëse një investim i tillë është zgjidhja më e mirë në këtë moment. Madje as vetë Berisha, pasi duket i velur me tri tryezat e para.
27 Mars 2009