El Baradei shpall kandidaturën për president në Egjipt
Mediat lokale egjiptiane njoftuan ditën e marte se ish-shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamad El Baradei është shprehur i gatshëm të paraqesë kandidaturën në zgjedhjet presidenciale egjiptiane të vitit 2011. El Baradei është fitues i çmimit Nobel në vitin 2005 për kontributin e tij në fushën e çarmatimit dhe të eleminimit të armëve bërthamore në shumë vende të botës.
El Baradei i pyetur nga televizioni egjiptian "Dream TV", u shpreh i gatshëm të paraqesë kandidaturën në zgjedhjet presidenciale, nëse populli ma kërkon, pak rëndësi ka se kush do të paraqitet përballë meje në zgjedhje. El Baradei, 67-vjeç, ka bërë thirrje muajt e fundit për një demokratizim të regjimit të presidentit Hosni Mubarak, i cili e mban këtë detyrë që prej 29 vjetësh.
Megjithatë, kushtetuta e vendit e pengon El Baradein, sepse kandidatëve të pavarur u kërkohet të kenë përkrahjen e 250 të zgjedhurve, ndër të cilët të paktën 65 anëtarë të Asamblesë Kombëtare, 25 të Këshillit Konsultativ (Senati) dhe të të paktën 10 të zgjedhurve bashkiakë, ndërkohë që parlamenti dhe bashkitë dominohen nga partia në pushtet, Partia Nacionaldemokrate, PND.