E Shtunë, 31 Tetor 2026

"El Clasico", më milioner në histori

Miliona, miliona e sërish miliona euro. Përveç rivalitetit sportiv, në derbin ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit ka shifra marramendëse, duke llogaritur këtu bilancet financiare, transferimet, transmetimet televizive, sigurinë e shumë të tjera. Sot në orën 19:00 nuk do të luhet vetëm "El Clasico" e futbollit spanjoll, por një ndeshje që i kalon kufijtë dhe shndërrohet në një spektakël me përmasa të jashtëzakonshme. 98.772 spektatorë do të mbushin tribunat e stadiumit "Kamp Nou", ndërsa personeli i sigurisë, i përbërë nga forca policore dhe private (më shumë se 1.120 persona), do të garantojë qetësinë. Shifra të paprecedenta sjell edhe mbulimi nga mediat vizive dhe të shkruara: 711 gazetarë dhe 158 media të akredituara nga 22 vende të botës. Për t‘u theksuar është se qindra kërkesa të tjera nga televizione e gazeta nuk janë aprovuar. 60 kamera, në fushë dhe nëpër tribuna, do të servirin një transmetim perfekt për duelin që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit. Gjithçka me synimin për të kapur çdo detaj: shkëputjet e Kristiano Ronaldos, driblimet mbresëlënëse të Lionel Mesit, pasionin e Pep Guardiolës në stolin katalan apo edhe meditimet e Manuel Pelegrinit, e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt.

Transmetimi do të jetë global. "Klasikja" do të ndiqet në Angli, Francë, Itali, Gjermani, SHBA, Meksikë, Kinë, Australi, Argjentinë, Japoni dhe në pjesën më të madhe të Afrikës së Veriut. Ndërsa në Shqipëri, pasioni që dhuron kjo sfidë do të sigurohet për tifozët nga "SuperSport" në kanalin "HD4", për imazhe me një kualitet maksimal. Në Spanjë, takimi do të transmetohet edhe në 51 kinema të 22 qyteteve. Interesimi është i jashtëzakonshëm edhe sepse në "Kamp Nou" luajnë dy klube që në total paguajnë 947 milionë euro rroga në sezon. Një shifër e tillë nuk është regjistruar asnjëherë më parë. Natyrisht që nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në fushë zbresin njëkohësisht yje si Kristiano Ronaldo, Mesi, Kaka, Ibrahimoviç, Raul, Ksavi, Iniesta e shumë të tjerë. Praktikisht më të mirët e futbollit të sotëm dhe lojtarët që përbëjnë elitën në aspektin financiar. Sipas "Forbes", kjo është një sfidë ndërmjet klubit të dytë më të shtrenjtë në botë (Reali i Madridit) kundër të shtatës (Barcelona): vlera e "merengues" përllogaritet në 903 milionë euro, ndërsa "blaugranat" në afro 668 milionë euro. Sipas të njëjtit burim, Reali është skuadra që përfiton më shumë në botë, me 244.5 milionë euro në vit, ndërsa Barça renditet e treta me 206 milionë, por shifrat pritet të rriten, pasi ato janë publikuar përpara merkatos. Të dyja këto skuadra e treguan fuqinë financiare gjatë verës: madrilenët shpenzuan 250 milionë euro, ndërsa katalanët 95 milionë. Të dyja së bashku ato përbënin 77 për qind të shpenzimeve në merkato në kampionatin spanjoll. Shifra marramendëse, për një prej spektakleve më mbresëlënës në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›