Lushnja përgatitet të luajë pa tifozë takimet e para të sezonit
Pas dënimit të fushës prej katër takimesh pa tifozë nga Komisioni i Disiplinës, verdhejeshilët duhet ti luajnë sfidat e tjera të kampionatit në Berat
Nga JULIAN KASAPI
Lushnja në javët e fundit të kësaj faze përgatitore ka qenë mjaft aktive, pasi ka kryer dy teste të rëndësishme, atë me Teutën dhe dje me Besën. Trajneri Bano është i mendimit se synimi i këtyre miqësoreve është arritja e një niveli loje të kënaqshme nga ana e skuadrës para startit të kampionatit. Ngarkesat e mara gjatë kësaj periudhe kanë qenë të larta, duke bërë që shumë prej lojtarëve të kapin formën e tyre optimale. Verdhjeshilët do të luajnë dy ndeshjet e para të këtij sezoni në Roza Haxhiu. Por në shkallët e stadiumit do të mungojnë tifozët. Dënimi nga Komisioni i Disiplinës me katër javë pa praninë e spektatorëve erdhi si pasojë e trazirave gjatë takimit të fundit të zhvilluar me Kukësin. Kështu sportdashësit lushnjarë do të humbasin disa takime të skuadrës së tyre në impiantin e qytetit, pasi ato të radhës ata do ti luajnë në stadiumin Tomori të qytetit të Beratit. Kjo, pasi më datë 22 shtator do të fillojnë punimet për rikonstruksionin e ambienteve të stadiumit të Lushnjës. Tapeti ekzistues është shkelur për herë të parë në vitin 2003 dhe ishte me të vërtet një investim i mirë, por vitet kaluan dhe nevoja për ta ndryshuar u bë një detyrim. Falë bashkëpunimit të pushtetit vendor me FSHF-në, tashmë do të vihet tapeti i ri për fushën ekzistuese, gjithashtu do të rikonstruktohet edhe një aneks sportiv me tapet sintetik. Mundësi më të mira për tu stërvitur nuk do të ketë vetëm ekipi i të rriturve, por edhe ato të moshave, të cilëve do tu mundësohen së shpejti terrene të reja. Futbollistët lushnjarë, pas një kohe relativisht të shkurtër, por intensive në seancat stërvitore kanë arritur të njohin mënyrën e lojës së njëri-tjetrit. Skuadra ka marrë formën e saj dhe po bëhet gati ta nisë me këmbën e mbarë këtë sezon, ku të gjithë aktorët, pra lojtarët dhe faktorët e tjerë si presidenca dhe donatorët janë të bindur se do të jetë sezoni i Lushnjes. Verdhjeshilët kanë katër sezone që përpiqen të ngjiten në Superligë, por ende nuk ia kanë arritur këtij qëllimi. Por ndoshta këtë vit, duke parë edhe investimet nga ana e presidencës dhe afrimet e disa lojtarëve me potencial mund të realizohet me sukses objektivi i dëshiruar nga të gjithë lushnjarët.
