Alban Meha, ndaj Qipros mund të debutojë me ekipin kombëtar
Mesfushori nga Mitrovica, i cili luan në Bundesligën 2 me Paderborinin, Alban Meha, flitet se shumë shpejt do ti bashkohet kombëtares shqiptare e cila drejtohet nga trajneri Xhani De Biazi. Në fundjavën e shkuar trajneri italian i kuqezinjve ka qenë në Gjermani për të ndjekur ndeshjen e Kupës së Gjermanisë mes Arminia Bielefeldit dhe Paderbornit. Qëllimi i De Biazit ishte për të ndjekur nga afër mesfushorin kosovar, i cili arriti të shënojë para syve të trajnerit të kombëtares, ku edhe festimi i golit kishte të bënte me kombin, pasi ai kryqëzoi duart duke bërë figurën e shqiponjës dykrenare, simbol i flamurit shqiptar. Mësohet se në fund të ndeshjes ka pasur edhe një takim mes futbollist dhe trajnerit De Biazi, ku italiani ka mbetur i kënaqur nga forma e Mehës dhe i ka komunikuar se ai shumë shpejt do të bëhet pjesë e ekipit kombëtar. Mendohet se debutimi i Alban Mehës me fanellën e ekipit kombëtar shqiptar mund të ndodhë që në ndeshjen e 7 shtatorit, ku në Qemal Stafa Shqipëria do të presë Qipron, ndeshje hapëse e eliminatoreve të botërorit Brazil 2014. Prej kohësh stafi teknik i kuqezinjve është në kërkim të një organizatori dhe me shumë gjasa këtë gjë pritet ta mbulojë mesfushori i Paderbornit, Alban Meha. Përveç Mehës që mendohet se është shumë pranë debutimit me Kuqezinjtë, është folur edhe për një afrim me kombëtaren edhe të futbollistëve të tjerë kosovar, Migjen Basha dhe Burik Kukeli.
.
