Elbasani sot firmosin tre, priten afrime të tjera
Nga ELTON KARAJ
Sot pritet të jetë një ditë me lajme të mira për Elbasanin. Kjo pasi në skuadër pritet afrimi i 3 lojtarëve të tjerë. Duket se presidenti Arben Laze ka arritur të gjejë akordin e duhur me ata futbollistë që ka qenë në bisedime prej kohësh. Bëhet fjalë për 3 prurje mjaft cilësore që më parë janë aktivizuar në skuadra të Superligës dhe Kategorisë së Parë. Këta lojtarë, emrat e të cilëve nuk bëhen publik nga klubi verdheblu pritet që ta forcojnë shumë organikën e tanishme që ka në dispozicion trajneri File. Sipas burimeve më të fundit brenda klubit verdheblu mësohet se këta tre lojtarë do ti bashkohen sot Elbasanit në stërvitje, për të qenë më pas pjesë e tij në sezonin që po afron. Drejtuesit e klubit kërkojnë që lojtarët në fjalë të jenë pjesë e skuadrës në stërvitje dhe më pas ta bëjnë fakt të kryer transferimin e tyre te verdheblutë. Presidenti Laze mban kështu premtimin e tij për të afruar në skuadër lojtarë cilësorë dhe njëkohësisht për të ndërtuar një Elbasan kompetitiv për këtë sezon. Gjithashtu në fjalën e tij Bosi verdheblu nuk ndalet teksa premton prurje të tjera në ekip, për ta ndërtuar këtë të fundit në superfuqinë e Kategorisë së Parë. Këtë sezon Elbasani ka qenë mjaft aktiv në merkato duke afruar plot 6 lojtarë, dhe tashmë numri i tyre është në rritje. Duket se problemet tashmë janë thjesht një e kaluar e hidhur për skuadrën e një qyteti mjaft sportdashës, që pret me padurim rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, gjë që presidenca ka premtuar ta arrijë që në këtë sezon.
