Sherr për ushqimet veresie, inxhinieri i papunë rreh dyqanxhiun
I refuzohet dhënia e ushqimeve të përditshme pa lekë nga ana e pronarit të dyqanit dhe në shenjë proteste e dhunon fizikisht atë dhe futet brenda dyqanit duke tentuar të vjedhë. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes në fshatin Kutalli të Rrethit të Beratit. Përparim Pepa, 40 vjeç, banor i këtij fshati, në shenjë proteste ndaj bashkëfshatarit të tij, pronar i një dyqani ushqimor, mësohet se është futur në dyqan dhe duke shkatërruar gjithçka ka tentuar të marrë ushqime pa paguar. Pronari i dyqanit, Tomor Hyka, ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi është dhunuar brenda dyqanit të tij nga ana e Pepës. Sipas denoncimit të mbërritur në Komisariatin e Beratit, 40-vjeçari Përparim Pepa me profesion inxhinier është paraqitur në dyqanin e fshatit dhe ka kërkuar të blejë pa paguar me lekë në dorë disa ushqime të përditshme. Duket se kjo kërkesë e përsëritur nga ana e Pepës ka zemëruar pronarin Hyka, i cili mësohet se nuk ka pranuar t’i japë më veresie bashkëfshatarit të tij. Ky i fundit jo vetëm që nuk është larguar nga dyqani, por ka nisur të debatojë me pronarin, të cilin më pas ka nisur ta qëllojë dhe është futur brenda ambienteve të dyqanit për të marrë me forcë ushqimet që i duheshin. Në ndihmë të pronarit të dyqanit mësohet se kanë shkuar më pas dhe banorë të lagjes, të cilët janë përpjekur të qetësojnë bashkëfshatarin e tyre, por 40-vjeçari mësohet se është konfrontuar edhe me ta. Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka shoqëruar menjëherë në agresorin. Ky i fundit sipas burimeve nga fshati kishte humbur prej pak kohësh punën si inxhinier në sektorin e naftës. Pas humbjes së punës ai ishte divorcuar nga gruaja dhe jetonte i vetëm. I mbetur pa punë, në kushte të vështira ekonomike, 40-vjeçari ka kërkuar dje të marrë ushqimet e përditshme pa lekë, ashtu siç kish bërë prej muajsh, por pasi është refuzuar nga pronari dhe pas dhunimit të këtij të fundit dhe tentativës për të vjedhje ka përfunduar në polici në pritje për t’u njohur me akuzën.
#