Bashkia e Patosit nuk bindet, prefekti kërkon ndihmë lart
Bashkia e Patosit nuk pranon ndërhyrjen e Kontrollit të Brendshëm të Prefekturës Fier. Në këto kushte, kjo strukturë ka kërkuar ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të shtetit, Ministrisë së Brendshme si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit. Sektori i kontrollit të brendshëm ose siç quhet ndryshe auditi ka më tepër se dy vjet që nuk po ushtron funksionin e tij në Bashkinë e Patosit. Sipas kreut të auditit të Prefekturës së Fierit, Dervish Baraj, grupi i auditimit të prefekturës nuk është lejuar nga kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, për të ushtruar kontrollin financiar dhe administrativ të kësaj njësie të qeverisjes vendore. “Tre herë kemi shkuar në Bashkinë e Patosit për kontroll, por grupet tona nuk janë lejuar. Kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, ka penguar kontrollet dhe kjo situatë vazhdon prej dy vjetësh”, tha Dervish Baraj, i cili sqaron se në të tria rastet kryetari i Bashkisë së Patosit ka nxjerrë si justifikim ekzistencën e një strukture kontrolluese brenda bashkisë. Tentativën më të fundit për të ndërhyrë me kontroll në Bashkinë e Patosit, Prefektura e Fierit e ka pasur në fillim të këtij viti. Por pasi edhe kjo tentativë e tretë ka dështuar, prefekti ka propozuar zhbllokim të situatës me ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Shkresa zyrtare për ndërhyrjen e këtyre institucioneve është cikluar dhe është dërguar në fillim të kësaj jave dhe pritet që shumë shpejt situata të marrë zgjidhje. Edhe pse zyrtarisht drejtues të prefekturës shprehen se kontrollet kanë qenë të planifikuara, nuk i shmangen dot ngarkesës politike të situatës. Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, thotë se kontrolli është një formë presioni që bëhet nga prefektura, e cila drejtohet nga përfaqësuesi i LSI-së.
#