E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen myftiu i sapozgjedhur i Shkodrës

Myslimanët Paraardhësi nuk la zyrën

Pa mundur të ushtronte asnjë ditë funksionin e tij, myftiu i ri i Shkodrës Ermal Nurja ka dhënë dje dorëheqjen. Nurja u emërua myfti i Shkodrës përpara disa ditësh nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, pas shkarkimit të myftiut paraardhës Ndriçim Sulejmani. Por Sulejmani, i cili u akuzua nga krerët e komunitetit për abuzim me pronat nuk pranoi të lëshonte detyrën dhe nuk e liroi zyrën për asnjë ditë. Shkarkimi i Sulejmanit u bë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Komunitetit Mysliman Shqiptar që u mbajt në qytetin e Kavajës. Pas këtij vendimi, myftiu i shkarkuar akuzoi krerët e komunitetit mysliman se e kishin sulmuan për interesa ekonomike dhe e kundërshtoi vendimin e shkarkimit edhe me një padi në gjykatë. Ndërkohë që pritej vendimi i gjykatës, Ndriçim Sulejmani vazhdoi të paraqitej çdo ditë në punë, duke mos lejuar zëvendësuesin e tij Ermal Nurja të merrte detyrën që i kishin ngarkuar. Dy ditë më parë, krerët e Komunitetit Mysliman kërkuan ndihmën e policisë dhe hapën me forcë derën e zyrës së myftiut të Shkodrës, gjë që shkaktoi një situatë të tensionuar mes klerikëve myslimanë të kryeqendrës së Veriut. Pas kësaj përplasjeje dhe këmbënguljes së Sulejmanit për ta mbajtur postin, Ermal Nurja deklaroi dje dorëheqjen nga posti që nuk e ushtroi dot për asnjë ditë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›