E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Big Brother", Visi del nga shtëpia

Besarta ishte e para që u lajmërua nga moderatorja Arbana Osmani se mund të vijonte të qëndronte në shtëpi. Më pas ishte Astriti, i cili shënon kështu të dytin rast që si i nominuar i shpëton daljes nga shtëpia. Po kështu edhe Ina, e cila ishte e treta e lajmëruar se mund të qëndronte në shtëpi. Visi, Najada e Romina vijuan më pas duke thënë arsyet se përse duhet të qëndronin në shtëpi. Romina ishte e katërta e lajmëruar nga Arbana si banorja që mund të vijonte konkurrimin, duke provokuar duartrokitje të shumta në sallë. Dhe më pas erdhi momenti kur emri i Visit u kumtua si i eliminuari i radhës. Më pas lot, lot, lot...

Nata e mbrëmshme ka ofruar surpriza të shumta, duke u shoqëruar me shumë emocione. Së pari, banorët kanë përjetuar çaste të zymta, pasi u lajmëruan për humbjen e lojës së javës.

Ajo ishte loja e shishes, e cila është përdorur sërish si strategji për banorët për t‘i bërë pyetje njëri-tjetrit, për zbavitje dhe për të kaluar kohën.
Secili prej tyre shpenzoi nga një pyetje për të tjerët, kur duhet të jepte një përgjigje.
Përgjithësisht ata shprehën mendime mbi performancat e secilit brenda shtëpisë, duke mos dalë nga kornizat e mendimeve që kanë shprehur vazhdimisht.
Secili prej tyre nuk ka thënë diçka gjatë lojës për të thyer kornizat e imazhit të krijuar deri tani.
Pas lojës, ishte ora e ushqimit... dhe e debatit.
Tepër të acaruar ishin dje Olsi me Noçën, që u zunë tamam si dy të dashuruar: Najada i thoshte se ka gjithë javën që i thotë t‘i presë flokët dhe sipas saj, Olsi e ka anashkaluar. Kurse sot, në vend të Najadës, ai ia kishte prerë flokët Rominës. Olsi i thotë se ajo po sillet si kalama. Najada del në kopsht për të ngrënë vetëm. Olsi vazhdon të flasë për zënien me ton të acaruar të zërit, ndërsa është duke ngrënë në kuzhinë me gjithë të tjerët.
Ina me Polin gjithashtu "gërricen" duke bërë një diskutim karakteresh. Sipas Inës, Poli ka karakter të lëkundur, por Poli i thotë se ajo ia fut kot. Ina i thotë se të gjithë e kanë vënë re se ata të dy janë larguar, por Poli i thotë se të gjithë kanë vënë re afrimitetin e Ildës.
Dhe ndërkohë, duke iu kthyer spektaklit të mbrëmshëm, është rikthyer sërish në skenë Olsi, i cili u braktis një javë më parë nga e dashura Lusi. Olsi është rikthyer si fenomen, për shkak të prezencës së të ëmës së tij, e cila e mbrojti të birin nga akuzat e Lusit. "Ajo nuk e njeh Olsin. Nuk lihet tjetri për një lojë", u shpreh kështu e ëma e Olsit, duke pretenduar se Lusi nuk e njeh mirë të birin. Po ashtu edhe e ëma e Najadës, e mbrojti të bijën lidhur me afeksionin e saj jo të zakontë ndaj Olsit. "Është një lojë", tha dhe e ëma e Najadës, ndërkohë që u shpreh se e bija është një natyrë shumë e dashur.

Një surprizë tjetër ishte dhe ditëlindja e Mardiolës, e cila u festua në oborr me shumë lule, tullumbace, tortë e shampanjë. Mardiola është vajza vlonjate, e cila u fut të shtunën e kaluar në shtëpi si një banore e re. Ditëlindja e saj u festua me shumë ilaritet nga ana e banorëve, ndërkohë që i shoqi i Mardiolës, ishte kontribuues me një pjesë të dhuratave të futura në shtëpi për këtë eveniment.

Figura e Çimit ishte dje e veçuar nga organizatorët e spektaklit, duke u trajtuar imtësisht. Si shkak, u bë qëndrimi i tij i ashpër ndaj Rominës ditët e fundit. Çimit iu shfaqën në ekran teksa qëndronte në dhomën e rrëfimit, të gjitha ato sekuenca kur ai shprehej me tone të ashpra ndaj Rominës. Të eliminuarat e dy javëve të para, Ingridi e Juna, u shprehën për këtë qëndrim të Çimit, nga studioja e spektaklit, duke kritikuar qëndrimin e këtij të fundit. Ato ngritën lart Rominën e ulën Çimin. Ndërsa Romina, nga dhoma e rrëfimit, tha se javën që sapo kaloi e ka kaluar me shumë përjetime dhe me luhatje të humorit. Lidhur më Çimin, Romina tha se me të ka një konfidencë; i bën deri diku përshtypje debati me të, por përpiqet ta anashkalojë pjesën e ashpër. Por miqtë më të ngushtë në shtëpi, Romina konsideroi Olsin dhe Najadën. Spektakli vijoi më pas me të tjera surpriza, ku momentet më interesante u përkisnin nominimeve. Siç u pa mes banorëve ka mendime dhe opinione ekstreme për njëri-tjetrin, ndryshe nga ajo që ndodh në shtëpi, kur ata janë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Java e 6-të e "Big Brother" pritet të ketë zhvillime të tjera interesante, tashmë që karakteret e banorëve po konturohen qartazi e rrjedhimisht raportet e tyre me njëri- tjetrin dalëngadalë shkojnë sa drejt aleancave e sa drejt kundërshtive e antipative.

Kush është Visi

ERVIS XHAKO

Lindur në Tiranë, 23 vjeç

Është student në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Evropian të Tiranës. Një djalë i pasionuar pas shkencave të komunikimit, si dhe marrëdhënieve me njerëzit. Një nga pikat e tij të forta të jetës personale është organizimi i aktiviteteve të ndryshme brenda ambientit të shkollës ku ai studion, por edhe angazhimi në lëvizje komunitare pa qëllim fitimi, si për shembull, dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë. Një djalë me shumë pasione për jetën dhe me një ëndërr të madhe për të ardhmen: shërbimi ndaj komunitetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›