E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, 170 furgonë të hënën bllokojnë rrugën

ELBASAN-Prej disa ditësh drejtuesit e 170 furgonëve taksi në Elbasan ndodhen në protestë. Shkak i protestës janë bërë gjobat e kripura që i janë vënë nga policia gjatë ndalesës në kryeqytet. Për këtë, dje ata kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestës, duke bllokuar rrugën ditën e hënë. Sipas tyre, mësohet se bllokimi i rrugës do të bëhet në Qafë Krrabë, në kilometrin e 29, në kufi me Tiranën. «Shkak për përshkallëzimin e protestës është bërë moslejimi i qëndrimit në Tiranë dhe pengimi i marrjes së udhëtarëve nga policia»- kanë bërë të ditur dje protestuesit. Shoferët e furgonëve ankohen se janë ndëshkuar me gjoba të rënda nga policia e qarkullimit rrugor dhe se ndiqen dhe persekutohen në kryeqytet. Kryetari i sindikatës në Elbasan, Romeo Haskja u shpreh se protesta do të përshkallëzohet dhe nëse nuk zgjidhen kërkesat e shoferëve do të marshohet drejt Tiranës. Ai tha se një gjendje e tillë krijohet nga klanetnë Tiranë që kanë okupuar transportin. Sindikalisti ka kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e prefektit dhe kryetarit të bashkisë për zgjidhjen e situatës. Ndërkohë pasojat po i vuajnë qytetarët. Një biletë për në Tiranë shkon nga 4-5 mijë lekë të vjetra nga 250 lekë, që ka qenë më parë. Shoferët justifikohen se kthehen bosh nga Tirana ndaj kanë vendosur këtë çmim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›