Elbasan, 40 familje në pritje të shtëpisë
ELBASAN-Pesë muaj nga përfundimi i 40 apartamenteve të reja nga buxheti i shtetit ende nuk janë përzgjedhur familjet përfituese. Shkak për këtë vonesë është bërë mos ngritja e një komisioni në varësi të Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Pretendimet e këshilltarëve për të qenë pjesë e këtij komisioni, i cili do të verifikojë edhe familjet përfituese kanë kohë që vazhdojnë, por duket se muaji shkurt do të jetë edhe afati i fundit për ngritjen e këtij komisioni për të vazhduar më pas me verifikimet e familjeve përfituese në rast se ato i plotësojnë kriteret. Në fakt disa nga kushtet për të përfituar një apartament janë të parelizueshme nga familjet e pastreha të kategorisë së parë. Shumë prej tyre nuk kanë të ardhura të mjaftueshme në bazë të ligjit për të përballuar këstin mujor. Do të jetë komisioni që do të vendosë nëse ato do të bëjnë pjesë në listat përfundimtare që do t’i dërgohen Këshillit Bashkiak për miratim. Drejtori i Entit të Banesave, Skënder Çela, deklaroi se nga 42 familje të pastreha të kategorisë së parë, 40 prej tyre do të strehohen tek pallati i ri, në bazë të ligjit 9232. Sipas tij, tashmë i mbetet Këshillit Bashkiak që të miratojë shpërndarjen e 40 hyrjeve në pallatin 8-katësh në lagjen ‘5 Maji’ të qytetit, që u ndërtua falë një fondi prej 72 milionë lekësh të akorduara nga qeveria. Drejtori rajonal i Entit të Banesave konfirmon gjithashtu se KRRT-ja e bashkisë ka miratuar sheshet për ndërtimin e 2 pallateve të tjerë, shumë pranë atij që sapo ka përfunduar dhe pritet fondi nga Enti Kombëtar i Banesave për nisjen e punimeve nëpërmjet Bankës Botërore. Numri ifamiljeve të pastreha në qytetin e Elbasanit llogaritet në rreth 3mijë.Vetëm në 5 vitet e fundit Enti ka pajisur me shtëpi rreth 100 familje.