Shkodër, ndalohet për vrasje në tentativë
Shkodër-Ka rënë në prangat e policisë Çesk Naçaj, 30-vjeç, nga Këlmendi. Ai u ndalua, pasi të martën e shkuar, së bashku me vëllanë e tij qëlluan shtetasin Luigj Bujaj në një prej rrugëve të kësaj komune, aksin Vukël- Tamarë. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se 30-vjeçari Naçaj, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje është kapur nga policia mëngjesin e djeshëm në Nikç të Këlmendit, ndërsa qëndronte i fshehur në këtë fshat. Ndërsa vëllai i tij, Kola, vazhdon të jetë person në kërkim për të njëjtën ngjarje. Luigj Bujaj ka qenë duke udhëtuar bashkë me të afërmin e tij nga Vukli në Tamarë, kur dy vëllezërit Naçaj i kanë dalë përpara dhe e kanë qëlluar. Konflikti mes tyre ka lindur që në zgjedhjet e 18 shkurtit, ku ishin të pozicionuar në kampe të ndryshme politike. Pas kryerjes së veprimeve nga policia, dy vëllezërit u shpallën në kërkim. Sipas Luigj Bujajt kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij kanë qenë të vazhdueshme dhe kjo solli ngujimin e tij.