E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, pranga doganierit për falsifikim

Fier-Policia e Fierit ka vënë në pranga një doganier, aktualisht me detyrë në Durrës nën akuzën e falsifikimit dhe kontrabandës. Burimet zyrtare të policisë, bëjnë me dije se doganieri i ndaluar është Enkeled Rexha, 37-vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit. Ndalimi, sipas policisë, është bërë pas një hetimi intensiv, që ka siguruar prova të mjaftueshme lidhur me doganierin e akuzuar dhe më pas prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimin. Gjithçka është realizuar në kuadër të një operacioni të koduar me emrin “Aulona”.
Operacioni
Doganieri është ndaluar nga policia, në kohën që ishte duke punuar në një agjenci doganore të Durrësit. Për këtë shtetas, Prokuroria e rrethit Fier kishte lëshuar urdhër ndalimi, pasi gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, oficerët e policisë gjyqësore, në bashkëpunim edhe me organin e akuzës së Fierit kanë siguruar prova që hidhnin dritë mbi dyshimet që binin mbi të. Hetimet, sipas burimeve policore, ishin zhvilluar në bazë të disa materialeve zyrtare të marra në doganën e Vlorës. Mësohet se shkeljet dhe akuza për falsifikim e kontrabandë ka lidhje pikërisht me kohën kur 37-vjeçari punonte si doganier në Portin e Vlorës. “Hetimet, të cilat kanë vazhduar për disa muaj kanë treguar se shtetasi Enkeled Rexha gjatë kohës që ka qenë në detyrë si doganier pranë doganës së Vlorës, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tij shtetërore ka bërë shkelje ligjore”,- sqarojnë burimet zyrtare të policisë së Fierit.
Akuza
Sipas policisë së Fierit, që i referohen hetimeve të bëra në kuadër të operacionit “Aulona”, ky shtetas ka lëshuar vërtetime hyrjeje, të falsifikuara për një automjet. Pas hetimeve, rezultoi se automjeti që ishte favorizuar për hyrje jashtë ligjit ishte një makinë me targa të Fierit. “Bëhet fjalë për një mjet me targa FR 13-73 C, i cili ka rezultuar i vjedhur jashtë shtetit, ndërkohë që atij i janë shmangur detyrimet doganore”- thonë të njëjtat burime. Sipas të dhënave, mësohet se nga shmangia doganore, bërë përmes falsifikimit, shteti ka pësuar një humbje, me një vlerë prej 1.515.645 lekë. Pas lëshimit të këtij urdhër-ndalimit, ku gjithçka ishte dokumentuar nga ana ligjore, njësitë operacionale të drejtorisë së policisë së Qarkut Fier, kanë bërë të mundur arrestimin e tij në vendin e punës, në agjencinë doganore Durrës.Menjëherë pas ndalimit të tij, materialet për ngjarjen i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Fierit. Burimet policore sqarojnë se mbi të ndaluarin rëndojnë veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të plotësojë aktin” dhe “kontrabanda nga persona që lidhen me veprimet doganore”. Mësohet se ai do të qëndrojë në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›