E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej për shfrytëzim prostitucioni, arrestohet

Fier-Pas disa javësh në kërkim nga policia kriminale, arrestohet i kërkuari për “shfrytëzim prostitucioni“. Sipas policisë, 35-vjeçari, Aleksandër Zykaj, banues në Patos kërkohej, pasi gjykata kishte vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg“, për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Ndalimi i tij u bë mbrëmjen e së premtes pas informacioneve të marra në rrugë operative, që siguruan të dhëna për vendndodhjen e tij. Vendimi i gjykatës për masën e sigurisë erdhi pas një kallëzimi të bërë nga një shtetase, me inicialet F.S. Vajza ka bërë denoncimin, sipas të cilit është shfrytëzuar nga 35-vjeçari në qytetin e Vlorës gjatë vitit të shkuar. Mosha dhe vendbanimi i vajzës nuk janë bërë të ditur nga ana e policisë për arsye sigurie. Pas kallëzimit të vajzës në polici dhe marrjes së masës së sigurisë, atë të arrestit në burg nga gjykata e Fierit, ai ka qenë i fshehur për disa javë, por ka përfunduar në pranga pas kërkimeve nga ana e uniformave blu. Aksioni për kapjen e tij ka qenë në kuadër të operacionit «Aulona».
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›