E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 40-vjeçari vritet nën “sytë” e policisë

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit ku ka humbur jetën shtetasi Gentian Beqiri, 40-vjeç.

Ai banonte në një pallat në lagjen “Çlirimi”, kur vrasësit kanë hyrë në banesën e tij dhe e kanë ekzekutuar. Policia bëri me dije se 40-vjeçari është qëlluar disa herë me armë të llojit pistoletë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Burri ndodhej në “arrest shtëpie”, pasi akuzohej për vrasjen e shtetasit Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2005. Brenda banesës ndodhej edhe babai i viktimës, Neziri, në gjende jo fort të mirë shëndetësore. Teksa ka parë skenën, ai pësoi atak kardiak duke gjetur vdekjen në spital.

Ku ishin policët?

Shtetasi Gentian Beqiri, ishte në “arrest shtëpie” dhe prej andej nuk mund të bënte asnjë lëvizje pa kontrollin e policisë. Ai ruhej gjatë 24 orëve nga forcat e rendit, për të mos e lejuar që të arratisej, por me sa duket nuk ruhej nga vrasësit. Autorët e krimit duket se ishin të përgatitur fort mirë në misionin e tyre dhe madje, ata kanë arritur të mashtrojnë edhe punonjësit e policisë që ruanin 40-vjeçarin, duke iu thënë se ishin shokë të tij. Por nëse për të hyrë u gënjyen, por për të dalë përse nuk u arrestuan?

Ngjarja po hetohen në vijimësi dhe tashmë në pranga kanë përfunduar dy punonjësit e policisë, shtetasi Sami Derstila, 42-vjeç si dhe Reshat Budani, 47-vjeç, banues që të dy ne Elbasan, punonjës të policisë së shërbimit. Këta shtetas akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa materiale do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë për të zbuluar nëse policët ishin bashkëpunëtorë ose të autorëve të vrasjes.

Hetime intensive po zhvillohen edhe për kapjen e autorëve, të cilët sipas policisë janë identifikuar tashmë. “Policia e Elbasan, po kryen te gjitha veprimet e duhura hetimore dhe procedurale, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes dhe kapjen e autoreve ne kohe rekord të kësaj ngjarjeje kriminale,  pasi autoret janë identifikuar nga ana jone dhe janë shpallur në kërkim”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Policia ka shoqëruar të paktën 20 persona për ngjarjen, por ende nuk ka një të dyshuar kryesor. Atje shkuan edhe hetues të krimeve të rënda. Në cilësinë e provës material janë gjendur disa gëzhoja plumbash.

KShH: Vrasja në Elbasan, flagrante

Për vrasjen reagoi edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke theksuar se krimi mund të ishte parandaluar.  Për KShH-në, ky është një rast flagrant dhe mjaft negativ, nga i cili duhet të nxirren mësimet përkatëse, duke marrë në të ardhmen edhe masat efektive, veçanërisht ndaj personave që me vendime gjyqësore u është kufizuar liria.

Sipas kësaj organizate, në rastin konkret, janë shkelur ligjet dhe rregullat e caktuara, ku për pasojë, është vrarë një person dhe ka vdekur një tjetër.

“Duke marrë shkas nga ky rast, KShH e shikon të nevojshme të evidentojë faktin se në Dhjetor të vitit 2011 është miratuar ligji “Për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendime gjyqësore”. Kjo mbikëqyrje zbatohet edhe në rastet e arrestit të shtëpisë. Theksojmë se ligji ka hyrë në fuqi në 1 Prill 2012”, thekson reagimi. /S.Lleshi/Start/     

                                                                                             2012-08-15 13:02
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›