E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 470 nxënës mësim brenda ish- Metalurgjikut

 

Drejtori: Pas transferimit të përkohshëm, nxënësit kanë shfaqur probleme të shumta shëndetësore

ELBASAN-Mësim brenda ambienteve të ish- Kombinatit Metalurgjik, në zemër të ndotjes dhe mes zhurmave. Në këto kushte bëjnë mësim 470 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Katund i Ri”, pas vendimit për rikonstruksionin e shkollës së tyre, që u dëmtua nga një lëkundje tërmeti. Vendim i përbashkët, mes Komunës Bradashesh dhe Drejtorisë Arsimore ka bërë që në brendësi të ambienteve të ish- kombinatit metalurgjik, në katin e parë të godinës së zyrave të Uzinës Mekanike të marrin dije qindra nxënës.

***

Ka rreth 7 muaj që fëmijët zhvillojnë mësim në dy turne në këto ambiente që nuk kanë as kushtet më minimale për këtë proces. Problemet për ndotjen e mjedisit janë më të rënduara në këtë ambient ku pluhuri, lëndët e dëmshme të Uzinës Mekanike, Uzinës së Sfungjerit më tej Uzinës “Kurum” dhe shumë ndërtesa të tjera, përbëjnë një rrezik potencial për këta nxënës. Ndotja e ajrit dhe e tokës në këtë territor është mjaft e madhe, pohim ky që e japin edhe specialistët. Së fundi, duket se problemet e ndotjes kanë sjellë shqetësim edhe për shëndetin e nxënësve. Vetë mësuesit tregojnë se nxënësit kanë pasur mjaft probleme me shëndetin sapo kanë ardhur në këtë godinë, probleme që nuk kanë lënë pa prekur edhe ata që japin mësim. Kështu probleme me rrugët e frymëmarrjes, me veshkat, shumë operacione apandesiti dhe shqetësime të tjera që e kanë bërë mjaft të vështirë mësimdhënien aty.

***

Shkolla e Katundit të Ri që ndodhet rreth 3 km larg qytetit të Elbasanit është në rikonstruksion. Për shkak të një lëkundjeje tërmeti ajo pësoi një çarje dhe me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Komunës Bradashesh filloi puna për rindërtimin e saj. Uzina Mekanikeka dhënë këtë pjesë të godinës, duke hequr dorë nga qiraja që i paguante komunës. Këtë vendim për t’i transferuar 470 nxënësit e mbështeti edhe Drejtoria Arsimore Rajonale, duke qenë se ishte një vendim i përkohshëm deri në përfundimin e shkollës së re. Në hyrje të Kombinatit Metalurgjik ku edhe qarkullojnë mjete të rënda me hekur e skrap dhe materiale të tjera për ndërmarrjet industriale, shikon edhe nxënës, të cilët tashmë të ambientuar me këtë fakt thonë se duhet edhe pak të përfundojë shkolla, ndaj janë akoma këtu. Drejtori i Shkollës, Eduart Hoxholli, thotë se për pak kohë do të përfundojë dhe shkolla e re dhe qëndrimi në këtë godinë ishte një sakrificë për të ardhmen e këtyre fëmijëve. “Kjo godinë është përdorur për shkollë, pasi shkolla jonë është në rikonstruksion e sipër. Atje ishte rrezik, pasi godina mund të shembej dhe fatmirësisht me një fond të komunës dhe buxhetit të shtetit u bë i mundur rikonstruksioni. Jemi afër një industrie dhe domosdo do të ketë probleme, por fatmirësisht shumë shpejt do të ikim nga kjo godinë”,- thotë ai.

***

I pyetur lidhur me problemet shëndetësore që janë hasur tek fëmijët Hoxholli shprehet se janë shtuar rastet me probleme, sidomos në rrugët e frymëmarrjes. “Raste të sëmundjeve apo problemeve shëndetësore ka pasur pasi ne kemi ardhur këtu në këtë godinë. Kemi pasur nxënës me probleme në rrugët e frymëmarrjes, edhe raste që kanë shfaqur shqetësime me veshkat, me apandesitin, pasi janë operuar disa fëmijë dhe me shqetësime të tjera për shëndetin e tyre”,- thotë ai, duke shtuar se kanë qenë të detyruar të pranonin, ndryshe 470 nxënës do të mbeteshin pa mësim. Ai pranon se ambientet janë të papërshtatshme, pasi rrethohen nga fabrika e sfungjerit, uzina mekanike, uzina “Kurum” dhe shumë objekte të tjera, që përdoren për prodhim dhe që çlirojnë ndotje. Për fat, uji është kontrolluar dhe është i konsumueshëm, por ajri është i rëndë dhe ambientet aspak normale për mësim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›