E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, pushohen nga puna 300 punëtorët protestues

 

SHKODËR-Punonjës të një ndërmarrjeje të përbashkët italo- shqiptare të prodhimit të këpucëve, që ditë më parë u hodhën në protesta për të kërkuar pagat e prapambetura dhe përmirësim të kushteve të punës janë pushuar nga puna pa asnjë motivacion. Rreth 300 punonjës të kësaj ndërmarrjeje, kryesisht gra, kanë protestuar dje përpara prefekturës së Shkodrës, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit. “Drejtuesit e ndërmarrjes ku punonim pranuan zgjidhjen e kërkesave tona, por më pas pushohen pa asnjë motivacion 300 prej protestuesve më aktivë”,-thanë dje protestuesit.

Punonjësit kanë akuzuar dy sindikatat ku ata aderojnë, duke pohuar sekanë mbrojtur interesat e punëdhënësve dhe jo të punëtorëve. “Problemet në marrëdhëniet punëdhënës e punëmarrës, nënshkrimi i kontratës kolektive dhe individuale, kanë qenë pjesë e debateve të shpeshta në mes të sindikatave dhe punëdhënësve, por shpesh herë sindikatat kanë qenë mospërfillëse në problemet e punëtorëve, duke bërë që të cenohet rëndë ekonomia e tyre”,- deklaruan ata. Gjatë tubimit para prefekturës ata deklaruan se do të bëjnë tentative për të takuar kryeministrin, do të vijojnë protestat në Tiranë dhe në se nuk gjejnë zgjidhje pas kësaj, do hyjnë në grevë urie.

Punëtorët e përjashtuar, sipas tyre pas asnjë motivacion, pretendojnë se ndërmarrja, edhe pse është private duhet të kontrollohet nga shteti. “Nuk është e drejtë që ne të na flakin në rrugë, vetëm sepse kërkuam të drejtat tona”,- thonë ata. Në nëntor të vitit të kaluar ishte vetë kryeministri Berisha që vizitoi ambientet e kësaj ndërmarrjeje dhe sipas punëtorëve, aty në mes të tyre, ai premtoi mbështetjeje. Tani, ata kërkojnë mbajtjen e fjalës, pasi janë qytetarë të këtij vendi. Që nga fillimi i protestave, punëtorët i kanë bërë apel shtetit shqiptar, që të shohë nga afër situatën e krijuar në këtë fabrikë. Në këtë ndërmarrje janë të punësuar mbi 800 punonjës dhe ata janë kryesisht gra e vajza nga qyteti i Shkodrës dhe fshatrat përreth, të cilat e kanë këtë si mundësi të vetme për të mbijetuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›