E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 5 armë në pakon postare

Bllokohet në Elbasan pakoja me pesë pistoleta dhe municione të mbërritura me postë nga Holanda.

TIRANE/ELBASAN

 Policia arreston pritësin e pakos, Agim Shëngjoni, 31 vjeç rezident në Holandë, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të armëve dhe municioneve luftarake. Pas arrestimit të 31-vjeçarit në postën e Elbasanit, edhe dy të afërm të tij janë shoqëruar në polici. Tri pistoleta "Glock" dhe dy të markës "Smith", prodhime belge, u bllokuan nga Zyra e Antitrafikut në Policinë e Shtetit e ndihmuar nga policia e Elbasanit dhe ajo e Tiranës. Armët e bllokuara dyshohet se do të shërbenin për të furnizuar një grup kriminal me veprim në Shqipëri. Armët janë bllokuar në momentin kur ato do t'i dorëzoheshin Agim Shëngjonit, nga punonjësit e postës. Pakoja me armët mendohet se është nisur disa ditë më parë, nga qyteti i Amersfurtit, në Holandë ku edhe ishte rezident 31-vjeçari Shëngjoni, i njëjti që priti të merrte pakon dje në Elbasan. Dërgesa nga ky qytet në drejtim të Elbasanit ishte firmosur në emrin e një tjetër bashkëkombësi të Shëngjonit, Artur Deja. Pakoja mësohet se është nisur të martën e kësaj jave, me firmën e Dejës si dërgues dhe marrës i postës ishte emri i Agim Shëngjoni. Ky i fundit kishte kaluar kufirin shqiptar në aeroportin e Rinasit, mbrëmjen e të enjtes, pasi kishte mbërritur me një avion të linjës Amsterdam-Romë-Tiranë.
Arrestimi
Mesditën e djeshme ishte llogaritur që pakoja me pesë pistoleta të mbërrinte në qytetin e Elbasanit. Më parë ajo kishte kaluar në sitën e punonjësve të postës, të cilët kishin vënë re pakon e dyshimtë gjatë kontrollit në skaner dhe për shkak të peshës së saj të rëndë. Pas një kontrolli të imtësishëm është zbuluar se pakoja kishte brenda saj sende metalike të mbështjella. Për këtë pako është njoftuar edhe policia e cila ka organizuar dorëzimin e saj në mënyrë të kontrolluar për të zbuluar pritësin. Posta është nisur në Elbasan dhe është lënë veç të tjerave në një prej sporteleve. Kur aty ka mbërritur marrësi që ka pohuar se priste pakon, punonjësit e postës i kanë treguar një pako të rëndë, të cilën e ka marrë një moment të vetëm. Më pas ai është prangosur nga agjentët e policisë, të cilët i kanë vënë prangat menjëherë në vendin e ngjarjes. Bashkë me të arrestuarin është ndaluar edhe vëllai i tij Edmondi dhe babai, Dashamir Shëngjoni. Të tre ata bashkë me pakon, janë nisur në drejtim të Tiranës. Sipas burimeve të policisë, në total pakoja, peshonte 76.8 kg dhe kishte brenda saj 6 nënndarje të tjera me pistoletat e paketuara dhe municionet përkatëse. Gjatë verifikimit është mësuar se babai dhe vëllai i të arrestuarit nuk kishin dijeni për pakon. Megjithatë ata u shoqëruan për t'u pyetur mbi rrethanat e ngjarjes. Pas ndalimit të Agim Shëngjonit, vëllait dhe babait të tij, policia ka nisur kontrollin e banesës së tyre në afërsi të kalasë së qytetit të Elbasanit. Gjatë kontrollit, policia bllokoi disa sende që sipas burimeve ishin në interes të hetimit. Nga hetimi paraprak është mësuar se pistoletat e markës "Glock" dhe "Smith", të prodhimit belg, ishin blerë në Holandë disa javë më parë, për t'u nisur në Shqipëri.                             a.k/d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›