Elbasan: Aksion për ndërhyrje të paligjshme në ujësjellës
Ndërmarrja e Ujësjellësit Elbër në Elbasan ka kryer disa aksione në zonën e Krastës, gjatë ditëve të fundit, pasi, sipas saj, janë evidentuar ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Sipas drejtorit, Ardian Zhidro, shumë prej familjeve në këtë zonë të qytetit janë lidhur me tubacionin kryesor të ujësjellësit, në mënyrë abuzive, duke rrezikuar jetën e banorëve të qytetit por edhe duke vjedhur në mënyrë të padrejtë ujin e pijshëm. Gjatë operacionit të zhvilluar ditën e djeshme, drejtori Zhidro tha se u konstatuan ndërhyrje të paligjshme në tubin kryesor që furnizon qytetin dhe dëmtimi që i është shkaktuar ujësjellësit me këto ndërhyrje përbëjnë rrezik për shpërthimin e epidemive. Ai theksoi se në ditët në vazhdim do të ketë ndërhyrje në pjesë të tjera emergjente, atje ku janë verifikuar raste të lidhjes së paligjshme të ujit në tubat kryesore. Zhidro tha se gjatë operacioneve ka pasur përplasje me banorë të zonës, por megjithatë këto probleme janë zgjidhur dhe se ujësjellësi garanton që do t’i lidhë ujin e pijshëm këtyre familjeve, por në asnjë rast nuk do të lejohen më ndërhyrje të tilla që dëmtojnë rrjetin dhe cilësinë e ujit.