E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo-Fullani: Tregu bankar, jo konkurrencë reale

SHKRUAN: Sabina Veizaj 25-02-2011 11:33

Kreu i Konkurrencës, Milo duke reaguar ndaj deklaratave të Guvernatorit Fullani, të bëra dy ditë më parë, ka deklaruar për “MAPO” se guvernatori ka të drejtë, pasi monitorimi ka pasur si qëllim të vetëm konstatimin nëse ka konkurrencë reale dhe pozitë dominuese në tregun bankar në vend. “Ne monitoruam tregun bankar dhe konstatuam se disa prej bankave të nivelit të dytë në vend aplikojnë tarifa më të larta se të rajonit. Vumë re mungesë transparence dhe në të njëjtën kohë, mungesë informimi të klientëve për ndryshime të kushteve të punës. Por në asnjë rast në raportin përfundimtar nuk kemi bërë krahasime në shifra. Nuk është në kompetencën tonë. Ne thjesht konstatuam dhe iu drejtuam Bankës së Shqipërisë, si i vetmi institucion mbikëqyrës i këtij sektori, të marrë masa në lidhje me konstatimet tona. Duke u nisur nga kriteret e konkurrencës, konkluzionet tona tregojnë se tregu bankar në vend është asimetrik dhe nuk ka elasticitet kërkese” - u shpreh Milo. Guvernatori Fullani dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp, deklaroi se bankat në Shqipëri kanë konkurrencë reale dhe Autoriteti i Konkurrencës në monitorimin e bërë i ka kaluar kompetencat si institucion, pasi detyra e tij si organizëm është të identifikojë konkurrencën dhe pozitën dominuese. Sipas raportit të Autoritetit të Konkurrencës, në bankat tregtare në vend është vënë re mungesë e transparencës, e cila reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte bëhet e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive, midis operatorëve të këtij tregu. Gjithashtu, nga raporti në fjalë del se bankat e nivelit të dytë aplikojnë kryesisht tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim. Ndërsa për disa nga shërbimet, si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti citon se, nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Autoriteti i Konkurrencës gjykon se megjithëse disa janë degë të bankave të huaja, për sa kohë veprojnë në territorin gjeografik të Republikës së Shqipërisë, duhet t’i informojnë klientët në gjuhën shqipe. Nga monitorimi është vënë re se në disa raste, bankat nuk i njoftojnë klientët, kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë kur rriten komisionet e llogarive rrjedhëse, apo kartave të debitit/kreditit, duke mos zbatuar në këtë mënyrë rregulloren nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”. Duke bërë një qasje krahasuese me tarifat e shërbimeve me bankat e rajonit, nga raporti rezulton se brenda të njëjtit Grup Bankar, bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare (si komisioni për mbyllje llogarie rrjedhëse, mirëmbajtje llogarie, kartat plastike) sesa bankat homologe në rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës. Në këtë mënyrë, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka demonstruar shifra në raportin e tij dhe nuk ka dhënë rekomandime jashtë kompetencave, që i dikton funksionimi si organizëm, në lidhje me tarifat dhe kriteret e tjera për konkurrencë reale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›