Financat, monitorim tregut për çmimet
Çmimet e larta të disa produkteve kanë vënë në lëvizje institucionet e shtetit. Në verifikimin e tregut, me qëllim çmimet, është përfshirë edhe Ministria e Financave. Zv/ministri i Financave, Nezir Haldeda pohoi dje se, Ministria e Financave nëpërmjet strukturave të saj, po monitoron disa linja të tregut që ofrojnë produktet bazë jetike, për sa i përket çështjes së çmimeve. Për këtë qëllim, strukturat e tatimeve dhe doganave po koordinojnë për çmimet e artikujve në momentin e importit, fakt që e verifikojnë doganat ,dhe nga ana tjetër tatimet verifikojnë çmimet në tregtinë me pakicë. Nisur nga fakti se, në tregun ndërkombëtar çmimet janë rritur për një sërë artikujsh bazë, Haldeda tha se, qëllimi i monitorimit të brendshëm të tregut, ka të bëjë me zbulimin e deformimeve. Në fakt, Ministria e Financave e monitoron tregun edhe për qëllim taksimi. Kështu, nëse ofrohen çmime të larta, edhe taksat do të jenë të larta. Nga ana tjetër, burimet në Ministrinë e Financave thanë se, nisur nga ky fakt, tatimi mbi disa aktivitete do të jetë në proporcion me fitimin. Kjo skemë do të jetë fillimisht e vlefshme për bankat dhe tregun e telekomunikacioneve. Mirëpo, nëse nga monitorimi aktual i tregut ka edhe segmente të tjera që janë duke abuzuar me çmimet, Ministria e Financave do të ndërhyjë nëpërmjet taksave, pasi ky është një nga mekanizmat kryesore që ky dikaster ka mbi rregullimin e tregut. Dy ditë më parë, deputetja e PS, Mimi Kodheli i ka kërkuar Komisionit Parlamentar të Ekonomisë që të thërrasë disa nga krerët kryesorë të institucioneve, duke përfshirë edhe ministrin e Financave, për të raportuar mbi nivelin e çmimeve të larta. Kohët e fundit, në diskutime në lidhje me nivelin e çmimeve në vend, janë përfshirë shumë institucione. Ndërsa ekspertë të tjerë të ekonomisë kërkojnë që qeveria të përdorë politika subvencionuese, ndaj disa tregjeve të ndjeshme, siç është mielli. Mirëpo, sipas zv/ministrit Haldeda, subvencionet nuk janë mënyra e duhur për të ofruar shërbimet më të mira te konsumatori. Një ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani e konsideroi rritjen e çmimeve në vend, si rezultat i rritjes së tyre në tregun ndërkombëtar, duke sqaruar se faktorët e brendshëm kanë ushtruar presion të ulët në rritjen e çmimeve. Guvernatori tha se, vala e çmimeve ka efekt të përkohshëm dhe se, objektivi i inflacionit në nivelin 3 për qind nuk do të cenohet. Duke nisur nga shtatori i vitit që shkoi, tregu vendas është vënë përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve për produktet jetike. Rritjen më të madhe në këtë aspekt e kanë pësuar hidrokarburet, të tilla si nafta, benzina dhe gazi për ngrohje, i cili në Shqipëri ka nivelin më të lartë të çmimeve në shkallë rajoni. Gjithashtu rritje kanë pësuar edhe të gjitha mallrat e shportës, të tilla si buka, vaji, makaronat, orizi, etj. Shumica e çmimeve në këto artikuj ka pësuar rritje, për shkak se janë mallra importi dhe çmimi i tyre në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm. Mirëpo tregut shqiptar në të tilla raste i shtohet edhe elementi i spekulimit, duke ofruar një nivel shumë më lartë, të cilit nuk i korrespondon as cilësia.