Fatura e energjisë nuk shpërndahet
Problemet e qytetarëve me kompaninë CEZ Shpërndarje nuk kanë të sosur. Radhët e gjata në filialet e kësaj kompanie vazhdojnë dhe konsumatoreve nuk u ofrohet nje zgjidhje. Problemi i radhës për ata pak qytetarë që u shkon fatura në shtëpi, është se kompania CEZ u ka faturuar gjatë muajit dhjetor 600 lekë shtesë si taksë për Televizionin Kombëtar. Kjo taksë duhej të paguhej gjatë vitit 2011 nga 100 lekë në muaj.CEZ Shpërndarje pasi ka konstatuar gabimin e radhës, ka njoftuar qytetarët se këto para do të rimbursohen, por konsumatorët të revoltuar shprehen se nuk kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre. Qytetarët duhet të rrinë me orë të tëra në radhë për të paguar faturat e energjisë elektrike, pasi këto të fundit nuk shpërndahen në banesat e tyre. CEZ Shpërndarje jo vetëm që s’ka mbajtur premtimet e saj për modernizimin e rrjetit të furnizimit me energji, por nuk ka shtuar një sportel më shumë për të mos lënë në radhë konsumatorët.