E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina e pneumokokut futet në kalendarin kombëtar të vaksinimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-02-2011 21:15

Vaksina e pneumokokut futet në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Kjo do të jetë një vaksinë më shumë ndaj infeksioneve të rënda, që do t’u bëhet falas fëmijëve të lindur që nga dita e parë e këtij viti. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), sipas të cilit në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihen fëmijët e lindur nga data 1 janar 2011 me skemën si më poshtë: vaksinimi konsiston në 3 doza 0.5ml në moshat 2, 4 dhe 6 muaj. Sipas udhëzuesit mbi vaksinën e pneumokokut, vaksina duhet të jepet me injeksion intramuskular në pjesën anterolaterale të kofshës. Ndërkohë që, si në çdo praktikë, para vaksinimit duhet të kontrollohet gjendja shëndetësore e fëmijës. Specialistët e shëndetit publik shprehen se shfaqja e disa sëmundjeve të reja në vend ka lindur nevojën edhe për futjen e dozave parandaluese të tyre, siç janë vaksina e pneumokokut dhe rotavirusit për fëmijët, apo vaksina HPV, e cila parandalon kancerin në qafën e mitrës. Një tentativë tjetër që po bën ISHP-ja është edhe futja e vaksinës kundër verdhëzës, apo ndryshe hepatitit A, e cila hera-herës në Shqipëri merr përmasa epidemike. Në fakt, përfshirja e disa vaksinave në kalendarin kombëtar të vaksinimit është një çështje e trajtuar edhe në strategjinë kombëtare të imunizimit 2009–2013. Në këtë strategji përfshihet zgjerimi i gamës së vaksinimit, duke sjellë vaksinat kundër hepatitit B tek adoleshentët, vaksina kundër pneumokokut, si dhe vaksina për hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës). Sipas planit, disa vaksina të reja do të futen gradualisht në vendin tonë, megjithëse deri më tani nuk janë realizuar afatet kohore të përcaktuara për futjen e vaksinave në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Kështu, vaksina kundër pneumokokut ishte parashikuar të futej në kalendar që në vitin 2010, ndërsa për vitin aktual është parashikuar që vaksina rotavirus, si dhe vaksina për hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës), të jenë të përfshira në kalendar. Plani i programit të vaksinimit, apo të imunizimit, synon të ruajë atë arritje që kemi deri tani (mbulesën e lartë vaksinale, mbulesën e të gjitha grupeve të fëmijëve), por natyrisht të fusë vaksina të reja, që të jenë mbrojtëse ndaj më tepër sëmundjeve. Ministria e Shëndetësisë ka negociuar për planin e ri të vaksinimit me përfaqësues të OBSH, Unicef dhe ISHP, por vështirësia që ndeshet për sigurimin e këtyre vaksinave ka të bëjë me koston shumë të lartë që ato kanë. Vaksinimi i fëmijëve nënkupton përdorimin e vaksinave apo toksoideve për nxitjen e sistemit imun për prodhimin e antitrupave, si dhe për nxitjen e përgjigjes imune qelizore, të cilat mbrojnë ndaj agjentit infektiv, ky është imunizimi aktiv. Imunizimi pasiv synon mbrojtjen e përkohshme nëpërmjet përdorimit të antitrupave të gatshëm. Vaksina është një suspension i mikroorganizmave të zbutur apo të vrarë, ose pjesë antigjenike të tyre, ndërsa toksoidi është toksinë e modifikuar bakteriale.

Kalendari i vaksinimit

Në vende të ndryshme ka ndryshime në kalendarin e vaksinimit, sipas situatës infeksioze të çdo vendi, por gjithmonë duhen patur parasysh udhëzimet e OBSH-së. Vaksinat mund të jenë të detyrueshme ose jo. Në kalendarin e vaksinimit futen vaksinat e detyrueshme.

Sipas kalendarit tonë të vaksinimit, moshat e vaksinimit janë:

në lindje

2 muaj

4 muaj

6 muaj

12 muaj

18-24 muaj

5 vjeç

6 vjeç

15 vjeç

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›