Elbasan, bie në greminë autobusi, 30 të plagosur
30 persona dyshohet të kenë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik në linjën e autobusave Tiranë-Elbasan. Aksidenti i shënuar vetëm pak minuta më parë ka ndodhur në zonën e njohur si qershitë në Qafë-Kërrabë, ku autobusi me pasagjerë me targa LB 3156 me të deleguarit e Aleancës Kuq e Zi ka dalë nga rruga, duke përfunduar në greminë në një lartësi prej 30 m. Menjëherë pas njoftimit një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë është nisur drejt vendit të ngjarjes për t`iu ardhur në ndihmë të aksidentuarve, ndërsa Spitali Ushtarak po ashtu është në gadishmëri të lartë për të pritur të plagosurit. Aksi rrugor është bllokuar nga forcat e policisë, zjarrëfikëset si dhe forca të policisë e shëndetësisë së Elbasanit kane mberritur ne vendngjarje për të asistuar në ndihmën e parë ndaj personave të përfshirë në aksident. Ajo cfarë vlen të theksohet është se kjo linjë është e ndaluar për udhëtimin e mjeteve të rënda, konkretisht për autobusët, por duket se ka qenë një vendim i vetë organizatorëve.