E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, bllokohet një aks nacional

ELBASAN - Reshjet e vazhdueshme kanë bërë që shumë zona në Elbasan të kenë probleme me qarkullimin. Kështu shumë mjete në aksin rrugor Gramsh-Elbasan në anë të lumit janë detyruar të kthehen mbrapsht për shkak të bllokimit të një ure përroi nga prurjet e shumta.

Kalimi i mjeteve është devijuar në rrugën e vjetër. Gjithashtu, ka rrëshqitje dheu në rrugën Gramsh-Poroçan në rrugën Kukur Gramsh. Ndërkohë, në Librazhd janë bllokuar zonat malore. Rrugët nacionale përgjithësisht kanë qenë të kalueshme veç aksit Stëblevë-Peshkopi.

Fier, Gjanica sërish del nga shtrati

FIER - Shirat e rëna gjatë gjithë natës kanë bërë që të dalë nga shtrati lumi Gjanicë, si dhe të përmbyten dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Si gjithnjë, nuk ka shpëtuar edhe përmbytja e një segmenti rrugor të autostradës Fier - Lushnjë. Në kushtet e krijuara, qarkullimi është bërë në rrugën e vjetër.

Ndërkohë, automjetet që kanë tentuar të kalojnë autostradën, kanë ngecur në të. Masa që është marrë nga policia rrugore ishte vetëm një shirit që është vendosur në hyrje të autostradës.

Edhe lumi Gjanicë ka dalë nga shtrati duke përmbytur zonën e tregut industrial në lagjen "1 Maji". Shirat kanë shkaktuar përmbytjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore të mbjella në komunën e Libofshës, Qendrës, Portëzës.

Mbytja e 13-vjeçares, vijojnë kërkimet

VLORË - Kanë vijuar përgjatë ditës së diel kërkimet për gjetjen e trupit të 13-vjeçares nga fshati Gjormë, të cilën e mori rrjedha e lumit Shushicë të shtunën. Rreth 100 persona të fshatit Gjormë dhe Velçë janë shpërdarë në të dy anët e lumit për të kërkuar, ndërsa forcat speciale, si dhe polumbarët e RENEA-s kanë krehur të gjithë zonën.

Kontrolli është bërë deri në pikën ku Shushica bashkohet me lumin Vjosë, por trupi i 13-vjeçares nuk është gjetur. Para disa kohësh, në lumin Shushicë janë mbytur edhe dy persona të tjerë, njëri 45 dhe tjetri 56 vjeç, po nga Gjormi. Shkak për këto fatkeqësi rezulton të jetë mungesa e një ure që lidh fshatrat, çka bën që banorët të kalojnë përmes lumit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›