E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, dy në pranga për falsifikim dokumentesh

VLORË - Në kuader të operacionit "Drejtësi e vonuar" blutë e Vlorës kanë arrestuar shtetasin Dhimitri Tocaj, 48 vjeç, lindur e banues në lagjen "Pavarësia". Ai akuzohet për "falsifikim dokumentesh" përmes të cilave kishte fituar prona në qarkun e Vlorës. Gjithashtu në Sarandë është prangosur Tefik Ismaili, 51 vjeç, banor i fshatit Gjashtë.

Blutë bëjnë të ditur se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ismaili nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara të përdorura në Gjykaten e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe në Agjencinë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë ka arritur të përfitojë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke prej 250 000 m2 të ndodhura në fshatin Gjashtë Sarandë, si dhe në Ksamil të Rrethit Sarandë, prona këto të cilat i ndaluari i kishte regjistruar pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë.

SHKODËR
Vetura vret aksidentalisht kalimtarin, i preu rrugën

Një person 41 vjeç mbeti viktimë e një aksidenti automobilistik në qytetin e Shkodrës dje. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën "Marin Barleti" pranë ish-komisariatit të policisë. Ardjan Gjeka me banim në lagjen "Ndoc Mazi" po kalonte në anën tjetër të rrugës kur u përplas nga një automjet i "Mercedez- Benz" që drejtohej nga Elton Trashani.

Mjeti pasi goditi kalimtarin, goditi dhe një mjet tjetër që dilte nga parkimi. Nga aksidenti kalimtari 41- vjeçar, ndërroi jetë në mënyrë të menjëhershme, për shkak të plagëve të marra. Automjeti lëvizte nga qendra e qytetit në drejtim të kryqëzimit tek ish-komisariati, ndërsa i aksidentuari po zbritste nga trotuari në të djathtë të rrugës në të njëjtin kah të lëvizjes.

Ekspertët thonë se kalimtari i ka prerë rrugën mjetit, por një fakt i tillë pritet të konkludohet me saktësi pas përfundimit të ekspertimit autoteknik të mjetit dhe të veprimeve të tjera hetimore që pritet të kryhen. Paraprakisht policia thotë se aksidenti ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së viktimës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›