Gjirokastra në errësirë, përmbytet nënstacioni elektrik
RESHJET/ Lumi Drino ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të rrugës, bizneseve e tokave
GJIROKASTËR- Reshjet e furishme të ditëve të fundit kanë krijuar një situatë emergjente në qarkun e Gjirokastrës. Për më shumë se 18 orë, 35 mijë banorë të qytetit të gurtë kanë qenë pa energji për shkak të përmbytjes së nënstacionit elektrik, ndërsa në disa akse rrugore ka pasur bllokime apo edhe vështirësi në qarkullim. Tri persona kanë mundur t'i shpëtojnë mbytjes falë ndërhyrjes në kohë të efektivave të policisë dhe zjarrfikëses.
Energjia elektrike
Dalja nga shtrati e lumit Drino si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, përveç qindra hektarëve tokë, ka përmbytur edhe nënstacionin që furnizon me energji elektrike qytetin e Gjirokastrës.
Si pasojë, rreth 35 mijë banorë kanë mbetur në errësirë të plotë duke filluar nga ora 23:00 e së shtunës e deri në orët e vona të pasdites së të dielës. Fatmirësisht reshjet janë ndalur gjatë ditës së diel, duke bërë të mundur rënien e nivelit të ujit dhe rreth orës 17:00 energjia elektrike është rikthyer.
Dhjetëra biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në anë të rrugës kombëtare Gjirokastër- Kakavijë janë përmbytur, duke paralizuar punën e përditshme dhe duke shkaktuar një sërë dëmesh të konsiderueshme. Tregtarët ankohen se vuajnë të njëjtat probleme vazhdimisht dhe se askush nuk ndërhyn për përmirësimin e situatës.
Bllokimi i rrugëve
Ndërkaq, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në një sërë aksesh rrugore, kombëtare e rurale në qarkun e Gjirokastrës. Aksi rrugor Përmet - Çarshovë është bllokuar në vendin e quajtur Badlonjë, pasi masivë të mëdhenj dheu dhe gurësh kanë rënë në të që prej orës 20:00 të së shtunës.
Forcat e policisë si dhe mjetet e rënda të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve kanë qenë në vendngjarje, duke punuar për hapjen e rrugës. Në aksin rrugor Gjirokastër -Tepelenë, në vendin e quajtur "Shkallë e zezë", përballë fshatit Hormovë, herë pas here kanë rënë gurë, por s'kanë shkaktuar bllokim rruge, pasi aty është e instaluar një fadromë e Rruga Urës, e cila bën pastrimin e menjëhershëm.
Në aksin rrugor Memaliaj- Ballsh, në vendin e quajtur ish- Fabrika e Fosforit, rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, ka pasur rrëshqitje dheu dhe masivë gurësh dhe për pasojë është vështirësuar qarkullimi. Rruga rurale nga Gjirokastra për në komunën Lunxhëri është e bllokuar në vendin e quajtur "Ura e Aznakut" si pasojë e daljes së lumit Drino nga shtrati.
Operacioni i shpëtimit
Tre persona kanë mundur të shpëtojnë nga mbytja pas ndërhyrjes së efektivave të policisë dhe zjarrfikëses. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në aksin rrugor rural Gjirokastër - Komuna Lunxhëri, në vendin e quajtur "Ura e Aznakut", në kohën kur dy automjete ishin bllokuar nga uji.
"Dy automjete tip Benz 240, të cilët po udhëtonin nga Gjirokastra për në Komunën Lunxhëri njëri pas tjetrit, si pasojë e ardhjes së menjëhershme të rrjedhës së lumit Drino këto dy automjete nuk mund të vazhdonin më tej lëvizjen pasi uji arriti në një metër lartësi dhe ato u mbushën me ujë. Në automjetin e parë udhëtonte drejtuesi i automjetit së bashku me një pasagjer, ndërsa në automjetin e dytë ishte vetëm drejtuesi, të cilët dolën mbi kabinën e automjetit.
Automjetit i repartit zjarrfikës, së bashku me efektiva të zjarrfikëses dhe të policisë së qarkut u afruan me shumë vështirësi tek automjetet dhe pas një ore bënë të mundur që të tre shtetasit që ndodheshin në këto automjete t'i shpëtonin, ndërsa automjetet e tyre të nxirreshin nga uji",- ka bërë të ditur zëdhënësi Gentian Mullai.