E Diel, 1 Nëntor 2026

Njohu femrën në gazetë, rrëmbehet tregtari

Biznemeni dyshohet se ra pre e një njoftimi të një femre në një gazetë lajmërimesh që kërkonte të dashur me para

Arrestohen dy të dyshuar për heqje të padrejtë të lirisë, pas thirrjes për ndihmë prej të dëmtuarit nga mjeti i tij

TIRANË- Një biznesmen nga qyteti i Vlorës ka rënë pre e mashtrimit nëpërmjet një rubrike për njohje me femra nga një gazetë lajmërimesh, ndërsa është marrë peng nga dy persona, një prej të cilëve pretendonte se ishte bashkëshorti i gruas me të cilën donte të lidhej biznesmeni. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, kur biznemeni Anesti.

A. nga Vlora kishte ardhur në Tiranë për të takuar femrën që kishte gjetur në gazetën e lajmërimeve. Julian Todhe dhe Fatmir Memlikaj janë arrestuar si autorë të dyshuar për konsumimin e veprës penale të heqjes së padrejtë të lirisë së një personi.

Sapo biznesmeni vlonjat ka mbërritur në Tiranë, në Laprakë ku kishte lënë takimin me "kandidaten", e cila tashmë dinte llojin e mjetit por edhe targat e tij, dy vetë ia kanë behur në veturën e tij, duke u prezantuar si njerëz të njohur të gruas me të cilën do lidhej.

Pavarësisht këtij fakti dyshimet e policisë janë se femra që ka komunikuar me biznesmenin në telefon dyshohet se është përdorur si karrem nga të arrestuarit, ndoshta me qëllim grabitjen e tij.

Sipas burimeve të policisë, dy të dyshuarit, i janë prezantuar si bashkëshorti Fatmir Memlikaj, dhe Julian Todhe si i afërm.
Menjëherë i kanë dhënë urdhër atij të niset, ndërsa biznesmeni nga Vlora ka zbatuar urdhrin e bujtësve.

Gjatë rrugës sipas burimeve të policisë që i referohen hetimit të kryer nga policia, personat kanë debatuar me të rrëmbyerin e tyre për shkak të faktit se i arrestuari po përpiqej të niste një lidhje intime me të afërmen e dy personave. Nga kjo dy të arrestuarit tashmë, kanë nisur të ushtrojnë presion ndaj biznesmeni vlonjat, ndërsa debatonin me të me tone të ashpra.

Pas më tepër se 5 minutash rrugëtim nga Lapraka, mjeti në të cilën ndodheshin dy rrëmbyesit dhe biznesmeni vlonjat që kërkonte të dashur, ka mbërritur pranë kryqëzimit të "21 dhjetorit", ku ai ka vënë re një furgon policie. Menjëherë ka ndaluar mjetin dhe ka kërkuar ndihmë duke thirrur: Më kanë marrë peng.

Grupi i policëve në furgon nuk e ka bërë të gjatë dhe ka ndaluar menjëherë mjetin, ndërsa janë prangosur të dyshuarit, ndërsa biznesmeni që kërkonte të dashurën është shpëtuar. Pas hetimit të kryer dy personat janë arrestuar me akuzën e heqjes së padrejtë të lirisë së personit në bashkëpunim.

Gjatë marrjes në pyetje dy të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre, me pretendimin se nuk kanë pasur qëllim për të marrë peng vlonjatin, pronar i një biznesi në qytetin e Vlorës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›