Elbasan, demokratët bojkotojnë mbledhjen e këshillit bashkiak
Këshilltarët e PD-së, nën drejtimin e deputetit Bylykbashi kanë lënë sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak në Elbasan, sapo është miratuar vetëm pika e parë e rendit të ditës, që kishte të bënte me ndihmën ekonomike. Arsyeja e vetme që kanë nxjerrë këshilltarët e PD për bojkotimin e mbledhjes ka qenë mbajtja e mbyllur e bulevardit kryesor të qytetit nga ana e kreut të bashkisë, Sejdini.
Ky i fundit ka pohuar se është në kompetencën e tij ligjore kjo çështje, duke shpjeguar se bulevardi do të hapet sapo të mbarojë dhe pjesa e dytë e tij, përkundrejt pretendimit të këshilltarëve demokratë se, Sejdini nuk ka zbatuar këtë vendim të këshillit bashkiak. Ndërkohë, kreu i grupit socialist, Agim Leka, që nuk ka kursyer replikat me atë të përfaqësuesve të Gjinushit, ka propozuar thirrjen jashtë radhe të kësaj mbledhjeje të dështuar si dhe propozimin në emër të një të tretës së këshilltarëve për shkarkimin e nënkryetarit të këshillit, Kujtim Hasbiu për shkelje sipas tyre të rregullave të mbledhjes. Duhet thënë se grupit të këshilltarëve të PD nuk u janë bashkuar për bojkot ata të PDR, PDI si dhe ata të LSI.