Firmoset marrëveshja për kufijtë detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë
Qëllimi kryesor i vizitës së kryeministrit grek në Shqipëri, Karamanlis ishte firmosja e marrëveshjes për vendosjen e kufijve të rinj detar mes dy vendeve, dokument i cili u firmos nga shefat përkatës të diplomacive, Dora Bakojanis për palën greke dhe Lulzim Basha për palën shqiptare. Sipas marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk është përcaktuar akoma, por që pritet të marrë një përgjigje të shpejtë, është ajo ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë.
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi 6 ditë më parë, marrëveshjen me shtetin fqinj, e cila konsiston në përcaktimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve. Baza ligjore për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila i shërben forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare".