E Diel, 1 Nëntor 2026

URA VAJGURORE, firma e gjobitur 2 herë vazhdon aktivitetin ndotës

Pas guroreve, një tjetër fabrikë ndot ambientin e qytezës të Urës-Vajgurore. Aktiviteti i prodhimit të asfalto-betonit, gjatë të cilit çlirohet gaz me erë të keqe në natyrë mësohet të jetë shqetësimi i ditës për banorët e lagjes 18 Tetori në këtë qytezë, të cilët jetojnë çdo ditë mes rrezikut për shëndetin e tyre. Në afërsi të lagjes ku aktualisht banojnë 380 familje vazhdon të kryejë aktivitetin një fabrikë asfalto-betoni që i përket një subjekti privat, aktivitet gjatë të cilit mësohet se nuk respektohen normat për mjedisin. Gjatë aktivitetit të prodhimit të asfalto-betonit, sipas banorëve mësohet se çlirohen shumë gazra, ngrihet shumë tym dhe blozë. Fabrika është me një distancë rreth 500 ml nga pika më e largët dhe vetëm 200 ml nga pika më e afërt e lagjes, duke u bërë kështu problem për shëndetin e banorëve. Këta të fundit disa herë kanë ngritur zërin për këtë shqetësim, duke ju drejtuar Bashkisë së Urës Vajgurore. Sipas tyre, në kohën që firma punon për prodhimin e asfalto-betonit, në ajër çlirohen re të mëdha tymi që ndotin gjithë zonën. Kryetari i bashkisë, Syrja Ormënaj mësohet se me disa shkresa i është drejtuar komunës Otllak për ndërhyrje, pasi aktiviteti ndodhet në territorin që administrohet jo nga bashkia, por nga Komuna Otllak. Për këtë aktivitet ditët e fundit dhe prefekti Thoma Rumniçi mësohet se i ka kërkuar komunës Otllak ushtrimin e kompetencave si pushtet vendor për të negociuar me firmën për respektimin e ligjeve mjedisore. Sipas shkresës me numër 554/2 që mban datën 21 04 2009 prefekti i Rumniçi i kërkon kryetarit të komunës Otllak marrjen e masave deri në bllokimin e aktivitetit prodhues së firmës. Në lidhje me këtë problem ka reaguar dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit. Drejtori i kësaj agjencie, Ajet Veleshnja ka pohuar se subjekti Euro Ndërtim MK është i pajisur me leje mjedisore, por nuk ka kryer asnjë monitorim të shkarkimeve në ajër. Sipas drejtorit Veleshnja, nga kjo agjenci ky subjekt ka qenë vazhdimisht nën vëzhgim dhe i është kërkuar pronarit të tij plotësimi i kushteve mjedisore. Kjo agjenci e ka penalizuar firmën me dy gjoba me vlerë 50. 00 lekë dhe 300.00 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›