E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apollon 2009, starton në teatrin Bylis

Çel siparin festivali i aktrimit Apollon 2009 në qytetin Fierit. Ky festival  këtë vit thyen përmasat kombëtare, duke kaluar kufijtë pasi janë edhe trupat e huaja ato që do të bëhen pjesë e pandarë e netëve të interpretimit dhe pjesë e konkurrimit  të vlerave interpretuese. Drejtori i festivalit Klajdi Marku ka deklaruar për mediat se nga mbrëmja e së hënës deri më datë 2 maj  teatri Bylis dhe i gjithë qyteti i Fierit do të ketë nderin të shijojnë  puhizën e aktorëve më në zë vendas dhe të huaj . Kjo është e veçanta këtë vit, pra konkurrojnë edhe aktorë dhe trupa të huaja. Kjo tregon se  anëtarësimi në Nato dhe aplikimi për në BE  është një magnet që do të na tërheqë në të gjitha fushat .Me të vërtetë që Shqipëria ka talente të reja dhe njerëz të vjetër që janë kthyer në gurë të palëvizshëm të artit. Kjo duhet  demonstruar  dhe pse jo duhet ndërthurur me  atë çka karakterizon interpretimin e aktoreve të huaj. Kam përshtypje se spektatori fierak do të ketë mundësi  të shijojë art të vërtet  dhe interpretim cilësor. Kjo është një arritje për Fierin, i cili përzgjidhet të behët bujtës i këtyre vlerave, ka vijuar drejtori i festivalit Marku. Natën e parë të këtij festivali ndërkombëtar e çeli trupa e Fierit me komedinë  Si rruar, qethur e cila do të vijoj me  Teatrin Kombëtar Tiranë, një natë më vonë. Në datë 29 festivali do të pasurohet me trupën  italiane,  që do sjellë në skenë  me Virgjili dhe dashuria . Teatri kombëtar Prishtinë është një tjetër prurje, që ka ngërthyer gjithmonë spektatorët fierakë, ndërsa në mbrëmjet e ardhshme do të prezantohen edhe trupat e Rumanisë, Maqedonisë dhe trupa e teatrit të Vlorës. Për më tepër  këtë maratonë  interpretimesh do ta  ndjekin emrat më të njohur të kinematografisë, kulturës, artit, kritikës, medias etj. Në natën e fundit do të kurorëzohen  edhe pesë fitues, të cilët do të përzgjidhen  nga juria, ku ndër emrat e spikatur do të jenë aktorja e mirënjohur Ema Andrea, kritiku Adriatik Kallulli etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›