Elbasan, dështon për herë të dytë miratimi i buxhetit
ELBASAN- Dështon për herë të dytë miratimi i buxhetit të bashkisë së Elbasanit për vitin 2010. Shkak janë bërë debatet e ashpra mes këshilltarëve të forcave kundërshtare politike. Mbledhja e këtij Këshilli ka nisur dhe është mbyllur me tensione të cilat kanë marrë shkas nga kontestimet e shumta që i kanë bërë projektbuxhetit këshilltarët e djathtë të mbështetur edhe nga ata të LSI-së. Gjatë mbledhjes Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini duke kërkuar votat u është drejtuar këshilltarëve të të gjitha forcave politike të mos e shtyjnë më miratimin e tij. Debatet mes tij dhe Kreut të Këshillit Bashkiak në lidhje me buxhetin e këtij viti kanë bërë që Kryetari i Bashkisë së Elbasanit të largohet nga salla në mënyrë demonstrative. Në një situatë të tillë këshilltarët nuk kanë arritur konsensusin për të miratuar projektbuxhetin e Bashkisë së Elbasanit për vitin 2010, deri në një mbledhje të radhës.(m.a/News24/BalkanWeb)