Elbasan, dy të vdekur në aksidente
ELBASAN - Dy persona humbën jetën në dy aksidente të ndryshme që u shënuan mbrëmjen e djeshme në qarkun e Elbasanit, brenda një kohe të shkurtër. I pari ndodhi në aksin rrugor që lidh qytetin e Elbasanit me Cërrikun, në vendin e quajtur "Pishat" rreth orës 18:00. Dy makina të tip "Benz" u përplasën mes tyre. Nga kjo goditje gjeti vdekjen shtetasi 70-vjeçar Refat Dyrma. Burime të policisë thanë se mjeti me targë EL 2423 B, me drejtues Eduard Dyrmën është përplasur me mjetin me targë TR 4844 L, në timonin e të cilit ishte Sulejman Debrova. Përplasja i mori jetën të moshuarit Dyrma, baba i shoferit, i cili bashkë me drejtuesin tjetër ndodhet në spitalin kirurgjik, në gjendje të rëndë për jetën. Aksidenti i dytë ka ndodhur rreth orës 19:10 në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Labinot-Fushë. Burimet zyrtare të policisë saktësuan se tre mjete u përfshinë fillimisht në një karambol, duke marrë para dhe një karrocë. Drejtuesi i kësaj të fundit ishte dhe viktima e përplasjes. Rexhep Kumria, 40 vjeç ndërroi jetë menjëherë. Policia ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje. Për shkak të aksidentit, makinat bllokuan rrugën nacionale për një kohë të konsiderueshme. a.k