Në burg dy italianët, vidhnin në bankomate
Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi dje lënien në burg, deri në përfundim të hetimeve, për dy italianët e akuzuar për vjedhjen e rreth 15 milionë lekëve, me anë të kartave të kreditit të klonuara. Togat e zeza të kësaj gjykate u njohën me pretendimet e organit të akuzës dhe të mbrojtjes për shtetasit italianë, Luca Calvia dhe Gabriele Pasqualino, të dy 25-vjeçarë nga Genova, të arrestuar pak ditë më parë. Burime pranë seancës bënë të ditur se dy të pandehurit nuk shfaqën pretendime në sallën e gjyqit. Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për ta, deri në përfundim të hetimeve. Italianët Calvia dhe Pasqualino u arrestuan pak ditë më parë teksa po tërhiqnin para me karta krediti të klonuara në një bankomat ATM, në një nga bankat e nivelit të dytë në Tiranë. Sipas policisë, dy italianët kishin klonuar disa karta krediti të bashkëkombasve të tyre, që kishin llogari në atë bankë. Sipas burimeve të prokurorisë, zbulimi i dy italianëve është bërë në bashkëpunim me bankën ku ata kryenin vjedhjet. Nga burime të hetimit mësohet se në ditët e para të muajit janar, njëri nga italianët ka kryer tërheqje me karta të klonuara nga një bankomat në Tiranë. Ai ka tentuar të tërheqë përsëri, por karta është bllokuar ndërsa sistemi ka lajmëruar bankën. Menjëherë pas këtij rasti, në bankomatin në fjalë është instaluar një kamera me precizion të lartë, e cila ka fiksuar foton e italianit në rastin tjetër kur ka tentuar të tërheqë. Kartat Visa dhe Master Card klonoheshin në Itali dhe më pas silleshin në Tiranë, për të realizuar vjedhjet. Policia e Tiranës ka deklaruar se dy shtetasit italianë kanë vjedhur më se 15 milionë lekë të vjetra gjatë aktivitetit të tyre kriminal. a.b