Elbasan e Lezhë, vdesin tre vetë në aksident
Në Elbasan aksidentohet stafi i Word Vizionit, 2 të vdekura 7 të plagosura, ndërsa në Lezhë humb jetën murgesha e kishës katolike
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy grave dhe plagosjen e 7 të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në afërsi të fshatit Xibrakë. Automjeti tip Benz me targë 638 BCD i drejtuar nga Taulant Bregu, 22 vjeç, me banim në Pogradec, është përplasur me automjetin tip furgon me targë TR 7285 T, të drejtuar nga Ramiz Lica, 37 vjeç, në të cilin ndodheshin punonjëset e Word Visionit me qendër në Tiranë. Si pasojë e kësaj përplasjeje, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Sonila Aliaj 33 vjeçe dhe Fide Shehi 56 vjeçe, me banim në Tiranë. Të plagosura rëndë nga ky aksident kanë mbetur Nexhmije Rama, 50 vjeçe; Vera Kaca, 52 vjeçe; Ermelinda Ruka, 28 vjeçe; Donika Neziri, 34 vjeçe; Mihane Pitarka, 47 vjeçe; drejtuesi i furgonit Ramiz Lika. Të gjitha punonjëset ndodheshin në një aktivitet në Librazhd dhe po ktheheshin për në Tiranë. Sipas mjekëve të spitalit të Elbasanit, të gjithë të plagosurit që ndodheshin në furgon ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, veçanërisht Nexhmije Rama. Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë policia e qarkullimit rrugor, ekspertët dhe grupi hetimor. Nga të dhënat paraprake rezulton se shkak i këtij aksidenti ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.
Një murgeshë e kishës katolike Lezhë ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur si pasojë e këtij aksidenti. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se në afërsi të fshatit Gocaj, në kryqëzimin me autostradën dy automjete tip fiat punto janë përplasur me njëra-tjetrën. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se njëri nga mjetet fiat punto me targa LE 83 63 A, që drejtohej nga Keshnik Marku, është përplasur me një tjetër mjet të së njëjtës markë, me targa italiane, që drejtohej nga 25-vjeçarja Alma Loga, nga qyteti i Lezhës, e cila është murgeshë në kishën katolike të këtij qyteti. Si pasojë e kësaj përplasjeje, është plagosur Alma Loga së bashku me pasagjeren që udhëtonte me të, shtetasen italiane Viti Sister 75 vjeçe edhe kjo murgeshë në kishën katolike të Lezhës. Dy të plagosurat janë dërguar në spitalin e Lezhës, ku pas nja 30 minutash nga mbërritja në spital, 75 vjeçarja Sister ka gjetur edhe vdekjen. Ndërkohë që Alma Loga, sipas mjekëve të këtij spitali, është jashtë rrezikut për jetën. Pas aksidentit policia e Lezhës ka mbërritur në vendin e ngjarjes në fshatin Gocaj të Lezhës, ku ka kryer edhe kryerjen e vendit të ngjarjes dhe pritet të japë konkluzionet përfundimtare mbi shkaqet e aksidentit.