Qëllon me armë policinë, kapet i shumërkërkuari për rrëmbim
Reis Haxhiraj ishte dënuar me 13 vjet heqje lirie për rrëmbimin e një inspektori policie si dhe plagosjen e vëllait të këtij të fundit
Vlorë Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim prej disa vitesh ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi ishte dënuar me 13 vjet heqje lirie për marrjen peng të një punonjësi policie. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, mësohet se ditën e djeshme orës 05:50 është finalizuar me sukses operacioni “Resulaj”, si rezultat i të cilit është arrestuar i shumëkërkuari nga policia, Reis Haxhiraj, 40 vjeç, lindur në fshatin Resulaj e banues në Selenicë.
Arrestimi
Po kështu, të njëjtat burime nga policia e qytetit bregdetar, kanë bërë me dije se arrestimi i 40-vjeçarit u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative mbi zbulimin e vendndodhjes së tij, pasi për një kohë të gjatë ky shtetas i fshihej drejtësisë”. Gjatë veprimeve për kapjen e tij, ai ka kundërshtuar duke hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë, ku nuk ka pasur asnjë punonjës policie të lënduar. Në momentin që po qëllonte është neutralizuar dhe kapur me automatik në dorë nga ana e forcave të policisë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri tip automatik model 56 (kallashnikov) si dhe një sasi fishekësh.
Dënimi
40-vjeçari Reis Haxhiraj ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë më datë 29 maj 2001, e cila e ka dënuar përfundimisht me 13 vjet burg, për veprën penale “Rrëmbim personi” e kryer kjo në bashkëpunim edhe me shtetasit Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha, ky i fundit i arrestuar nga policia. Të tre këta shtetas në datën 28 qershor 1998 rreth orës 17:00, në vendin e quajtur “Izvor”, të armatosur dhe të maskuar kanë rrëmbyer inspektorin e policisë Yzedin Gucaj si dhe kanë plagosur të vëllain e tij Dhimitër Gucaj.
Mësohet se rrëmbimi para 13 vjetësh ishte kryer për motive përfitimi. Pas rrëmbimit këta persona i kishin vënë 200 milionë lekë gjobë, duke përfituar nga fakti që inspektori kishte të afërm biznesmenë. Yzedin Gucaj është mbajtur peng për tetë ditë me radhë dhe i lidhur me tel, dhe në një moment kishte arritur t’u shpëtonte rrëmbyesve, ka shkuar pranë një banese ku persona të tjerë e kanë ndihmuar. Që nga ajo kohë Haxhiraj ishte shpallur në kërkim. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se gjatë kësaj kohe i shumëkërkuari Reis Haxhiraj i fshihej drejtësisë në Greqi. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.