E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëndë plasëse në derë të shtëpisë, vdes 43-vjeçarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Ballshit dhe mendohet se shkak mund të ketë qenë puna e të shoqit si polic

FIER Violeta Mehmeti, 43 vjeç, banore e lagjes ‘Gllavenicë’ në qytetin e Ballshit, ka gjetur vdekjen si pasojë e një shpërthimi të një lënde plasëse në portën e shtëpisë së saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:00 të ditës së Premte. Viktima ka dashur të hapë portën kryesore të shtëpisë, një ndërtesë private në këtë lagje, kur ka shpërthyer lënda plasëse. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm. Si pasojë, ajo është plagosur rëndë dhe ka rënë pa ndjenja në portën e shtëpisë. Bashkëshorti i saj Mehmeti, i ka dhënë ndihmën e parë, duke e dërguar së bashku me disa fqinjë në spitalin e qytetit. Por plagët e marra nga shpërthimi kanë bërë që 43-vjeçarja të ndërrojë jetë, gjatë transportit të saj në spital.

Ngjarja

Si çdo ditë, Violeta është zgjuar herët për të hapur dyqanin e saj, ngjitur me murin rrethues të shtëpisë, në hyrje të banesës. Ora ka qenë 05:00, tregojnë të afërmit e saj me lot në sy. Sapo ka përfunduar disa punë shtëpie brenda godinës, ajo është orvatur të hapë portën kryesore të saj, për të dalë në ballkon. Por sapo ka prekur dorezën e derës është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Gruaja, nga forca e shpërthimit, ka përfunduar në pjesën e brendshme të shtëpisë duke u shembur në një pjesë të murit. Pas kësaj, bashkëshorti Mehmeti është ngritur i përgjumur dhe ka parë gruan e tij të përgjakur dhe pa ndjenja, e më pas është munduar t’i japë ndihmën e parë. Zhurma e fuqishme ka bërë që edhe djali adoleshent të ngrihet nga dhoma e tij i frikësuar dhe të drejtohet për nga dhoma e prindërve. Romario, kështu quhet fëmija, nxënës në shkollën e mesme të përgjithshme në Ballsh, me lot në sy ka rrëfyer se “pasi ka dëgjuar zhurmën e madhe është ngritur i tmerruar dhe ka parë nënën e tij pa ndjenja dhe të mbuluar me gjak. Nuk dija se çfarë të bëja. Nuk arrita të kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Vetëm kur pashë mamanë të gjakosur dhe pa ndjenja, dëgjova babanë që kërkoi ndihmë për ta dërguar në spital. Erdhën të afërm dhe u nisën për në spitalin e qytetit. Por ishte vonë”, loton ai duke përfunduar rrëfimin tronditës.

Dyshimet

Fqinjët e viktimës shprehen se “ajo ka punuar në një dyqan ku shiste artikuj të ndryshëm në lagje. Ajo njihej si një njëri tepër korrekt dhe që ndihmonte njerëzit me ekonomi të dobët. Ka ndihmuar shumë vetë madje edhe me ushqime falas dhe me të shënuar në lista. Nuk e kuptojmë këtë ngjarje të rëndë”. Mendohet se bashkëshorti Mehmeti ka punuar si polic në komisariat ndërsa është shkurtuar nga reforma. Vajza Oligerta është nxënëse konviktore në shkollën e mesme artistike Fier.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë forca të shumta policie, si dhe grupi i ekspertëve. Këta të fundit kanë kryer dhe ekspertizën e vendit të ngjarjes. Policia nga ana e saj ka shoqëruar disa persona, që i ka marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë. Paraprakisht, sipas një njoftimi zyrtar të policisë, mendohet se lënda shpërthyese të jetë granatë dore. Por ende nuk ka rezultate konkrete, lidhur me natyrën e lëndës plasëse. Në njoftim thuhet se policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›