E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, banorët në protestë për tokën

Transportet: Punimet kanë filluar në atë pjesë që toka është e shtetit

Punimet për Unazën e Madhe në kryeqytet kanë filluar me një protestë nga banorët e zonës që pretendojnë se preken nga ndërtimi i saj. Kështu, ndërsa këta të fundit thonë se nuk janë dëmshpërblyer për tokën dhe kërkojnë ndërprerjen e punimeve, Ministria e Transporteve deklaron të kundërtën, duke bërë të ditur se toka ku kanë filluar punimet është e shtetit. Paraditen e djeshme banorë dhe pronarë të ligjshëm të tokave në zonën perëndimore të Liqenit Artificial janë konfrontuar me policinë, e cila kishte shkuar në atë zonë në ndihmë të firmës që po punon për hapjen e rrugës ku do kalojë Unaza e Madhe e Tiranës. Pronarët e ligjshëm kërkojnë pezullimin e punimeve dhe hyrjen në negociata me autoritetet për dëmshpërblimin për tokën ku do kalojë Unaza e Madhe. Ata thonë se nuk janë kundër ndërtimit të kësaj rruge, por shtojnë se nuk kanë informacion se ku do të kalojë kjo Unazë, dhe sa do të jetë sipërfaqja e tokës që do u preket, si dhe kërkojnë kompensim. Rreth orës 10:00, pikërisht në këtë zonë policia kishte ngritur një kordon dhe nuk lejonte banorët, pronarët e ligjshëm të tokave në atë zonë që t’i afroheshin punimeve pranë digës te Liqeni Artificial. Banorët kanë debatuar me policinë për gati 30 minuta, duke pretenduar se nuk ishin paralajmëruar për fillimin e punimeve dhe kërkojnë pezullimin e punimeve. “Jemi të indinjuar. Ne s’na ka ardhur njeri të na thotë për kompensimin. Këtu ka pronarë të cilët i kanë tokat me tapi dhe hipotekë, por askush nuk i përfill dhe dokumentet e pronës po i hedhin në kosh të plehrave. Po na preket prona jonë padrejtësisht”, - kanë pohuar banorët, duke i kujtuar Kryeministrit premtimin që ai ka bërë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2009-s se do “ishte garant i avokatit të pronave të Saukut”. Pas përplasjes së banorëve me policinë, Ministria e Transporteve ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së saj për shtyp, duke theksuar se militantët e Partisë Socialiste u përpoqën që të ndalnin punimet e Unazës. Sipas saj, ata bllokuan punimet me pretendimet se nuk janë bërë shpronësimet e tokës; ndërkohë që toka është në pronësi të shtetit. “Debati për Unazën e Madhe është inspiruar nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama, i cili po bëhet pengesë për ndërtimin e saj. Punimet kanë filluar në atë pjesë që është konfirmuar se toka është në pronësi të shtetit dhe jo në pronësi private siç pretendohet”, - theksoi zëdhënësja e Transporteve. Ministria e Transporteve, gjithashtu, thekson se në ato pjesë ku toka është private do të ndiqet procedura për shpronësim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›