Elbasan, grabitet natën xhamia "Mbret"
ELBASAN - Xhamia "Mbret" dhe ambientet e një shoqate janë bërë pre e grabitësve brenda pak orësh në qytetin e Elbasanit. Vjedhja e xhamisë, e cila ndodhet brenda kalasë, u konstatua mëngjesin e djeshëm. Autorët kanë hyrë në xhami nëpërmjet një tubi hekuri, i cili ndodhet ngjitur me murin e saj e më pas janë futur brenda. Ata kanë ndaluar në katin e dytë të xhamisë e më pas kanë zbritur në katin e parë. Biblioteka e xhamisë ka qenë edhe pikë ndalimi ku autorët kanë gjetur një tufë çelësash, me anën e të cilave u hap dhe sirtari ku ndodhej arka me para. Një shumë prej 50 mijë lekësh u gjet brenda tyre. Pak orë pas kësaj vjedhjeje, një tjetër është regjistruar në shoqatën "Ëord Vision". Me anë të thyerjes, autorët kanë hyrë brenda, duke grabitur një shumë prej 25 mijë lekësh, 2 aparate fotografikë, një aparat Digitalb e një kompjuter. Policia ka shoqëruar disa persona për këto ngjarje. a.k