Pretenca në Lezhë, burg përjetë vrasësve të anglezit
LEZHE - Prokuroria e Lezhës i kërkoi dje gjykatës së këtij rrethi dënimin me burg të përjetshëm për dy të rinjtë nga Shëngjini, të cilët vranë në mënyrë barbare anglezin Eduard Kreythorne. Akuza lexoi pretencën duke faktuar edhe në bazë të deponimeve të vetë të arrestuarve gjithçka kishte ndodhur më 2 shkurt 2008. Në sallën e gjyqit dje ishin edhe familjarët e viktimës si dhe të dy të pandehurve, Arlind Vukaj dhe Marjo Pjetrushi. Nëna dhe motra e anglezit të vrarë nuk mundën ta mbajnë veten në fund të seancës, duke dalë me kujë nga gjykata. Ndërsa Valentin Pjetrushi, babai i Marjos, u shpreh se i biri kishte kryer një krim dhe se duhej dënuar, nëse kjo faktohet se është e vërtetë. Ndonëse më parë ai kishte hyrje e dalje me familjen angleze, dje ato kanë qëndruar larg njëra-tjetrës. Sipas prokurorit që hetoi çështjen që bëri bujë, Arlind Vukaj dhe Marjo Pjetrushi, kishin kryer krimin e rëndë në bashkëpunim. Anglezi dy ditë para vrasjes kishte fjetur në shtëpinë e Pjetrushit. Ky i fundit bën planin bashkë me Vukaj për të dalë shëtitje me viktimën në malin e Shëngjinit. Sipas akuzës, Vukaj, Pjetrushi dhe Eduart Kreythorne udhëtuan 1 orë e gjysmë më këmbë, në kërkim të një vendi të qetë, nga ku më pas do të konsumonin marijuanë. Pasi janë ndalur në një shtëpi të braktisur, Marjo ka ftuar viktimën që të uleshin pranë pusit. Arlind Vukaj e ka qëlluar me levë e pas tij edhe Marjo. Pasi i grabisin telefonin, paratë, varësen e floririt si dhe sende të tjera, ata fshehin gjurmët duke e hedhur në pus. Dy ditë pas krimit, Pjetrushi shkon në shtëpinë e viktimës për darkë. Nëna dhe motra e anglezit e kishin ftuar atë që t'i ndihmonte rreth lëvizjeve të fundit që Eduarti kishte pasur. Por gjithçka u zbulua pas hetimit të policisë së Lezhës, e cila implikoi si autorë të krimit dy shokët e anglezit. r.n