Elbasan, katër aksidente në 24 orë
Kthimi i emigrantëve shton numrin e aksidenteve rrugore. Në 11 muaj, kanë gjetur vdekjen 36 persona
ELBASAN- Kthimi i emigrantëve ka dhënë impaktin e parë negativ mbi aksidentet. Vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar katër aksidente në Librazhd, Peqin e Elbasan nga të cilat tre mjete rezultojnë me targa të huaja. Burime të policisë bëjnë të ditur se në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, në afërsi të fshatit Dragostunjë, mjeti tip Mitsubishi me targa "NBA 3194", i drejtuar nga shtetasi Urim Loha, lindur në Dibër, ka aksidentuar një 69- vjeçar, i cili ishte këmbësor. I dëmtuari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në aksin rrugor Librazhd - Sterbleve, në afërsi të stacionit të trenit, një mjet benz me targa "TR 8110 N" ka dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit, Nezir Markola, 36 vjeç lindur në Dibër e banues në Tiranë.
Ndërkohë, dy aksidente të tjera janë regjistruar një ditë më parë në aksin rrugor nacional Peqin-Elbasan në vendin e quajtur Bishqem. Mjeti tip Volsvagen me targa "NET 2615" i drejtuar nga Madrid Sina me banim në Pajovë, ka aksidentuar 13- vjeçarin që qarkullonte me motor. I dëmtuari është dërguar në spital ku ka marrë mjekimet e nevojshme. Ndërkohë është arrestuar në flagrancë shtetasi Viktor Kapllani, 34 vjeç, me banim në Progër të Peqinit pasi ka shkaktuar aksidentin ku kanë mbetur të plagosur tre persona nga Gramshi. Bilanci i këtij viti për Elbasanin për sa i përket viktimave të aksidenteve është mjaft i rëndë. Vetëm në 11 muaj kanë gjetur vdekjen 36 persona.