Pallati i kunatit të Dash Pezës, gjykata pro prishjes
Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesë padinë e Ilir Matajt, me pretendimin se ajo nuk ishte e bazuar në Kodin e Procedurës Civile
Padia e dorëzuar në gjykatë nga shoqëria ndërtuese, bazohej pikërisht në nenet që gjykata përmendi se ku duhej bazuar padia
TIRANË- Rrëzohet padia e kunatit të Dashamir Pezës në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, duke i dhënë të drejtë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), që ka nisur prishjen e objektit 12 katësh në rrugën "Urani Pano", pak javë më parë. Gjyqtarja Ariana Gunbardhi (Caco), pasi shqyrtoi kërkesë- padinë civile të shoqërisë "T.TA-Alba-Lam"sh.p.k. me administrator Ilir Matën me objekt pezullimin e urdhrit të INUK-ut, për për prishjen e pallatit 12- katësh të ndërtuar në rrugën "Urani Pano". Kjo kërkesës për sigurimin e padisë, u bë menjëherë pasi Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar urdhëroi prishjen e këtij pallati me pretendimin se ishte ndërtuar mbi një pjesë të rrugës së kësaj lagjeje. Sipas njoftimit, zyrtarë të zyrës së shtypit të Gjykatës së Shkallës thuhet se gjyqtarja Caco, pasi shqyrtoi provat materiale, vendosi rrëzimin e kërkesës së shoqërisë "T.TA-Alba-Lam" sh.p.k. duke e cilësuar atë si konflikt administrativ.
"Duke pare natyrën e konfliktit dhe konkretisht objektin e kërkesës, Gjykata konstaton, se jemi përpara një konflikti me karakter administrativ. Pra kërkohet të pezullohet ekzekutimi i një akti administrativ. Konfliktet me karakter administrativ zgjidhen me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, me nenet 324- 329 , ku është parashikuar dhe pezullimi i aktit administrativ. Pala kërkuese kërkesën e saj e ka bazuar ne nenet 202 -206 të Kodit të Procedurës Civile, bazë ligjore e cila nuk qëndron, për arsye se pezullimi i ekzekutimit të aktit administrativ, realizohet me nenin 329 të Kodit të Procedurës Civile. Ky arsyetim i Gjykatës është i bazuar edhe në vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Larte me nr.10 të datës 24 mars 2004"- thuhet në arsyetimin e vendimit të gjyqtares Ariana Gunbardhi (Caco).
Ndërkohë, po sipas këtij vendimi, INUK-u, në pretendimet e tij ka kërkuar rrëzimin e kësaj padie si të pa bazuar në ligj. "Personi i tretë Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në seancën gjyqësore, sqaroi se vendimi numër 10 i datës 7 dhjetor 2009 për prishjen e objektit, është i ligjshëm dhe se nuk duhet të pezullohet. Pala e tretë, INUK, duke iu referuar bazës ligjore të vendosur në kërkesë, arsyeton se kjo bazë ligjore nuk qëndron për faktin se, bazuar në vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, baza ligjore që duhet përdorur për pezullimin e aktit administrativ, është neni 329 i Kodit të Procedurës Civile",- thuhet në vendimin e gjyqtares Gunbardhi. Ndërkohë, çuditërisht në kërkesë padinë e paditësit Mata, kërkesa argumentohet edhe mbi bazën e neni 329 të Kodit të Procedurës Civile, që çuditërisht gjykata pretendon se nuk është përmendur në kërkesë padinë e palës paditëse. Sipas padisë të firmosur Ilir Mata, nga kunati i deputetit të PS-së Dashamir Peza, kërkon "lejimin e marrjes së masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e menjëhershëm dhe pa ndërprerje të zbatimit të aktit administrativ të vendimit nr.10 datë 07.12.2009 me numër pasurie 001835 nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i cili parashikon dënim për prishjen e objektit 12-kat të shoqërisë "T.TA-Alba-Lam" sh.p.k. deri në afatin e përfundimit të plotë të gjykimit të kërkesë padisë që do të paraqesë kjo shoqëri kundër këtij vendimi brenda afatit 15 ditor"-thuhet në kërkesë padinë e bazuar në nenet 202-206/b dhe 329 Kodit të Procedurës Civile. Nen ky i fundit që sipas vendimit nuk është cituar. Pas këtij vendimi, avokatët e administratorit Mata konfirmuan se vendimi do të apelohet pranë Gjykatës së Apelit për shkelje të rënda procedurale.